Boksieri ukrainas, Oleksandr Usyk, do të përballet të shtunën mbrëma me britanikun Daniel Dubois, në një rimeç për titullin e kampionit të padiskutueshëm të botës në peshën e rëndë, para dhjetëra mijëra tifozëve në Londër.
Këtë ndeshje do ta shikojnë edhe në atdheun e boksierit ukrainas, në Krimenë e aneksuar nga Rusia. Por, çfarë e lidh sot Oleksandr Usykun me gadishullin e Krimesë?
Ndeshja e Usykut në Londër do të transmetohet nga kanalet televizive ruse. Kjo do të thotë se ajo mund të shikohet falas edhe në Krimenë e aneksuar. Usyk nuk pëlqehet nga autoritetet lokale ruse, të cilat ia kanë tërhequr çmimet dhe nderimet e mëparshme për shkak të qëndrimit të tij pro Ukrainës.
Por, kjo nuk do të thotë se ai është harruar atje.
“Në Krime, padyshim që mbështesin Usykun. Sepse, ai është i yni, nga Simferopoli. Nantyrisht, askush nuk do ta bëjë këtë publikisht me flamuj dhe thirrje, për të mos pasur telashe. Por, të shikosh boks ende nuk është e ndaluar. Prandaj, mendoj se baret sportive në Krime do të ishin të mbushura, nëse nuk do të ishin kufizimet e orarit të punës [deri në orën 23:00, ndërsa transmetimi është planifikuar në orën 01:00 të natës]”, tha për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë (REL) një gazetar vendas në kushte anonimiteti.
“Nga GRES-i për në palestër pa transport”
Usyk filloi të merrej me boks në klubin sportiv të boksit, Tavria, në Simferopol. Salla ndodhet në tregun qendror të qytetit.
Në hyrje të palestrës ishin vendosur copëza të shkëputura gazetash për Oleksandr Usykun me fotografi, si dhe një poster me autografin e tij. “Klubit tim të dashur, Tavria. Bota e do forcën”, kishte shkruar boksieri.
Të gjitha këto mbetën aty edhe pasi Rusia e aneksoi Krimenë. Por, nëse kanë mbetur atje edhe pas largimit të boksierit për në Kiev dhe pasi ai e dënoi pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, nuk dihet.
“Usyk u shfaq në këtë klub në vitin 1999. Më pas filloi të rritej – si në aftësi, ashtu edhe në peshë e gjatësi. Dhe, gradualisht nisën të vinin sukseset. Fillimisht, Usyk stërvitej në fermën e shpendëve Juzhnaja. Pastaj, familja u zhvendos në GRES [lagjja Gresovski në periferi të Simferopolit] dhe atëherë ai vraponte vetë rrugës për në stërvitje në Tavria – pa përdorur minibusë, vajtje-ardhje. Kur po përgatitej për Lojërat Olimpike në Londër, trajneri i tij, Lomachenko, e detyronte të notonte nga 10 kilometra dhe të vraponte maratona prej 42 kilometrash. E Usyk tashmë ishte i gatshëm për këtë, prandaj erdhi edhe rezultati”, tregoi për të trajneri i boksit Viktor Spirin për blogerin krimeas, Zair Bakkal.
Pas aneksimit të Krimesë, klubi Tavria vazhdon të stërvitë boksierë nën flamurin rus.
Trajneri i parë i Usykut, Sergei Lapin, kujton se “pa shkëndijën” tek ai që në stërvitjet e para, edhe pse sportisti ishte “mesatar, jo shumë i zhvilluar fizikisht”.
“Në vjeshtën e vitit 2021, ai erdhi bashkë me djalin tim në stërvitje. Ishin miq. Sasha ishte 14 vjeç e gjysmë. Gjatë stërvitjes punuan 28 runde. Mendova se të nesërmen nuk do të vinte. Por jo, erdhi. Dhe, kuptova që ky fëmijë do të bëhej kampion. Specialistët thoshin se prej tij s’del gjë. E tani, të gjithë janë rreth tij”, kujton ai.

Vetë Usyk kur flet për vendet e tij të dashura në Krime, përmend vendlindjen e tij Simferopolin, qytetin Evpatoria, ku shkonte me tren për në det, dhe bazën stërvitore Spartak në Alushta.
Si e “humbi lirinë” Krimea e “Zotit”
Në vitet e mëparshme, boksieri kishte bërë deklarata kundërthënëse, që shpesh ngjallnin kritika në shoqërinë ukrainase. Pas aneksimit rus të Krimesë, ai me familjen qëndroi në gadishull dhe thoshte se nuk e kishte ndër mend të largohej, sepse “aty është shtëpia e tij, atje kanë lindur fëmijët”.
Kur Usyk shkonte në Kiev, deklaronte se në Krime “çdo gjë është në rregull”, pavarësisht represioneve ruse ndaj banorëve pro-ukrainas atje, bllokadës civile të furnizimeve me mallra dhe energji elektrike.
“Çdo gjë është në rregull. Nëse doni të më provokoni dhe të më pyesni nëse ka dritë atje (në Krime), po, atje ka dritë. Ka edhe ushqim. Unë e dua Krimenë, dhe në Krime më duan mua. Kaq”, deklaronte ai për gazetarët në dhjetor të vitit 2015.
Usyk ishte kritikuar shpesh sepse nuk mund të jepte përgjigje të qartë për çështjen e përkatësisë së gadishullit të Krimesë. Ai ose i shmangej përgjigjes, ose thoshte se “Krimea është Krime” apo “Krimea është e Zotit”.
Më vonë, kur familja e Oleksandr Usykut u shpërngul në Kiev dhe Rusia kishte nisur tashmë pushtimin e plotë të Ukrainës, më 2022, bashkëshortja e tij, Ekaterina Usyk, tha se ai më herët nuk mund ta quante hapur Krimenë si pjesë të Ukrainës, për shkak të kërcënimeve që familja kishte marrë për shkak të qëndrimeve ndaj statusit të gadishullit.
“Ka tetë vjet që burrit tim ia çajnë kokën me pyetjen: ‘Sasha, e kujt është Krimea?’. Po të mos kisha të afërm atje, po të mos kisha jetuar vetë atje deri më 2017, do të thosha menjëherë se Krimea është Ukrainë – ajo vërtet është Ukrainë. Ndoshta do ta kishte thënë edhe ai [që Krimea është Ukrainë], por kur ishte në Kiev, dikush e telefonoi dhe i tha: ‘Sasha, nëse thua që Krimea është Ukrainë, ne e dimë ku banon gruaja jote – do të hyjmë atje dhe me siguri do të gjejmë diçka”, deklaroi ajo.
Vetë Usyk arriti ta pranojë se Krimea “e ka humbur lirinë” vetëm pasi ishte zhvendosur në Kiev.
“Unë i perceptoj njerëzit e Krimesë si të ndritshëm, diellorë, pak indiferentë. Ne këtu kemi diell, Uau! Por, e kemi humbur; nuk e kemi më atë lirinë që e kishim dikur”, e pranoi ai në një intervistë për Maria Efrosininën në janar të vitit 2022.
Ndërkohë, Usyk e tha haptazi se “Krimea ka qenë, është dhe do të jetë Ukrainë” vetëm në shtator të vitit 2022, kur tashmë kishte nisur prej muajsh pushtimi i plotë i Ukrainës nga Federata Ruse.
Nga pacifizmi te “paqja në mbarë botën”
Pasi Rusia e filloi pushtimin e plotë të Ukrainës, Usyk mori armët në dorë dhe doli në mbrojtje të Kievit, që po sulmohej nga trupat ruse. Kjo ndodhi megjithëse më parë ai ishte shprehur si pacifist dhe kishte ëndërruar “të shkatërrojë të gjitha armët në botë”.
Në vitin 2022, ai i bëri thirrje presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që “ta ndalë luftën dhe të ulet në tryezën e bisedimeve”.
Si pasojë e pushtimit të pjesëve të rajonit të Kievit nga trupat ruse, u dëmtua edhe shtëpia e Usykut në Vorzel, pranë Kievit. Ajo u pushtua nga ushtarë rusë. Pas largimit të tyre, kishin mbetur pemë të prera, simbolet ushtarake “V” dhe “Z” në gardh, dhe një oborr i shkatërruar.
Pasi Forcat e Armatosura të Ukrainës çliruan rajonin e Kievit, Usyk iu kthye sportit të boksit. Ai vazhdon t’i ndihmojë forcat ukrainase dhe ta promovojë imazhin e Ukrainës në ringun ndërkombëtar.
Pasi e dënoi luftën e Rusisë në Ukrainë, Parlamenti i Krimesë i kontrolluar nga Moska, e hoqi atë nga lista e të dekoruarve me medaljen “për besnikëri ndaj detyrës” dhe nga titulli “punonjës i nderuar i kulturës fizike dhe sportit të Republikës Autonome të Krimesë”. Po ashtu, iu hoq edhe titulli “qytetar nderi i Simferopolit”.
Më pas, Usyk u nderua nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me titullin “legjenda kombëtare” dhe me “urdhrin e lirisë”.
Usyk e quan veten “bir i vendit të vet”. Ai thotë se ka hedhur poshtë oferta financiare për ta ndërruar shtetësinë, sepse dëshiron të jetojë në Ukrainë.
Para pushtimit të plotë nga Rusia, Usyk ëndërronte “t’i zhdukte të gjitha armët në tokë”. Tani, ai thotë se ëndrra e tij është “ta ndalë luftën në vendin e tij”, ndërsa për të ardhmen ai ëndërron për “paqe në mbarë botën”.
Lufta nuk i ka ndryshuar bindjet fetare të sportistit. Ai vazhdon të jetë pjesëtar i Kishës Ortodokse të Ukrainës, e njohur më parë si UOK e Patriarkanës së Moskës. Boksieri shprehet se dëshiron që kjo kishë “të pastrohet nga të paudhët që ndodhen brenda saj dhe që veprojnë sipas udhëzimeve të armikut, Rusisë”.
Usyk thekson se Kisha Ortodokse e Ukrainës në mënyrë formale ka hequr përkatësinë ndaj “Patriarkanës së Moskës”.
Por, Shërbimi Shtetëror për Çështjet e Politikës Etnike dhe Lirisë së Besimit deklaron se njohjen zyrtare UOK-u është “një njësi strukturore e kishës amë – Kishës Ortodokse Ruse”.
UOK-u e mohon çdo lidhje me Moskën./rel