Opozita serbe kërkon sqarim për rolin e Serbisë në Banjskë

Në Kuvendin e Serbisë disa deputetë opozitarë ngritën debatin rreth sulmit në Banjskë të Zveçanit, ku një grup i armatosur terrorist serb sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator. Ata shqetësohen për rolin e udhëheqjes serbe në këtë ngjarje dhe kërkojnë hetim ndërkombëtar

Ndërtesa e Kuvendit të Serbisë. Fotografi nga arkivi.

Gjatë seancës së parë të sesionit vjeshtor, një pjesë e deputetëve opozitarë në Kuvendin e Serbisë më 23 tetor ngritën çështjen e rolit të udhëheqjes serbe në sulmin në Banjskë në veri të Kosovës.

Më 24 shtator, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por kjo e fundit ka mohuar çdo përfshirje.

Përgjegjësinë për sulmin në Banjska e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

“Prandaj, le të pyesim tani [drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion – BIA, Aleksandar] Vulinin, [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiqin dhe [ministrin serb të Punëve të Brendshme, Bratisllav] Gashiqin, si është e mundur që nuk e dinit se çfarë po bënte Radoiçiqi në Banjskë me persona të armatosur me mitraloz, pushkë që asnjë qyteti të Serbisë nuk i lejohet t’i mbajë privatisht”, tha Nebojsha Zellenoviq, bashkëkryetar i partisë opozitare së bashku, teksa iu drejtua deputetëve në seancë plenare.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millenko Jovanov, u kundërpërgjigj duke thënë se Zellenoviq për gjithçka fajëson serbët, pa e shikuar përgjegjësinë e palës tjetër.

“Ai thotë se është e tmerrshme që Aleksandar Vuçiq nuk dinte asgjë, por për të nuk është e tmerrshme që vdiqën tre serbë. Ai këtë nuk e tha kurrë”, tha Jovanov.

Një pjesë e opozitës në Serbi ka kërkuar më 3 tetor një seancë urgjente të Kuvendit, në të cilën, përmes formimit të Komisionit Hetimor, do të përcaktohej përgjegjësia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe roli i Millan Radoiçiq për ngjarjet në Banjksë. Por, një propozim i tillë nuk është pranuar.

Ky zhvillim vjen në ditën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi në Banjskë u krye nga “Klani i Novi Sadit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq”.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt është shteti që e dikton krimin”, shkroi Kurti në Facebook të hënën.

Vuçeviq i ka hedhur poshtë si “gënjeshtra plotësisht të neveritshme dhe flagrante” deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kosova ka kërkuar që të kryhet një hetim ndërkombëtar për Serbinë, në mënyrë që të përcaktohet roli i Beogradit në sulmin që Prishtina e cilëson si terrorist.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. /REL

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika