Osmani për të zhdukurit me dhunë: Janë thirrja jonë për drejtësi, Meja dhimbje e madhe e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së të Pagjeturve, ka thënë se të zhdukurit me dhunë janë thirrje për drejtësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

“Janë mbi një mijë e 600 të zhdukur me dhunë, thirrja jonë për drejtësi, e cila do të vihet në vend kur para saj do të dalin autorët e krimeve dhe do të zbardhet fati i secilit nga njerëzit tanë. Duam dhe do të insistojmë të dijmë për fatin e tyre”.

Kështu është shprehur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së të Pagjeturve, e cila lidhet me datën e masakrës së Mejës në Gjakovë.

Osmani ka theksuar se kjo ditë “na bën ta kthejmë kokën pas, jo vetëm për t’i kujtuar ata që nuk janë në mesin tonë, por edhe për ta thënë fuqishëm se për ta nuk është vetëm një ditë si kjo, por çdo ditë.

“Me kujtimin për ta, do të bëjmë çdo ditë përpjekje që pritja e familjeve të marrë fund”, ka thënë Osmani, njofton zyra e presidentes.

Përmendorja e personave të pagjetur në sheshin “Skënderbe” në Prishtinë.

Sipas presidentes Osmani, forcat e regjimit gjenocidal kanë kryer edhe shumë krime të tjera monstruoze në Kosovë.

Ajo, si një ndër më të tmerrshmet e ka konsideruar masakrën e Mejës, në të cilën u vranë barbarisht 376 djem e burra shqiptarë.

“Synimi i regjimit gjenocidal serb ishte spastrimi etnik, ndaj aksioni kriminal u shtri në 15 fshatra të Rekës së Keqe dhe Luginës së Çarragojës në Gjakovë. Meja është dhimbje e madhe e Kosovës dhe ndër rrëfimet më të përgjakshme të luftës. Nuk do ta harrojmë kurrë, sepse vetëm kësisoj do ta dimë vlerën e lirisë dhe shtetit”.

“Do t’i kujtojmë përherë martirët e Mejës duke u angazhuar vazhdimisht që autorët të vihen para drejtësisë”, ka potencuar ajo.

Të mërkurën e 27 prillit, në Kosovë po shënohet Dita e të Pagjeturve, ndërkaq fati i më shumë se një mijë e 600 personave të zhdukur me dhunë nga Serbia gjatë luftës në Kosovë ende nuk dihet.

Pamje nga paslufta në Kosovë

Po ashtu, më 27 prill po shënohet edhe përvjetori i 23-të i masakrës së Mejës në Gjakovë, ku në vitin 1999, 376 persona u vranë e masakruan nga forcat serbe në mënyrë mizore.

Ndryshe, 23 vjet më parë, brenda pak orësh është kryer ekzekutimi dhe një ndër masakrat më të mëdha në Kosovë.

Forcat serbe kishin rrethuar Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës, ku vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës ishin lënë të hapura.

Në rreth 15 fshatra të Gjakovës kishte filluar ekzekutimi i të gjithë djemve dhe burrave, shtëpi për shtëpi.

Disa nga mbetjet mortore të viktimave janë gjetur në varreza masive nëpër Kosovë, kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

Në këtë ngjarje ishin masakruar 36 djem nën moshën 18 vjeç.

Provat e Tribunalit të Hagës tregojnë se më shumë se 30 oficerë dhe trupa serbe “ishin të përfshirë ose dinin rreth” masakrës së Mejës dhe “nuk bënë asgjë për ta ndaluar atë ose për të ndëshkuar ata që kryen krime”.

Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë.

Kërkohet zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë nga regjimi serb

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika