Parlamenti Evropian diskuton raportet vjetore për Kosovën dhe Serbinë

Parlamenti Evropian

Komisioni i Politikës së Jashtme i Parlamentit Evropian do të diskutojë në leximin e parë draftin e raporteve për Kosovën dhe për Serbinë.

Këto dy raporte janë hartuar nga raportuesit për këto dy vende, Viola Von Cramon për Kosovën dhe Vladimir Bilçik për Serbinë, shkruan REL.

Në draftin e raportit për Kosovën përshkruhet situata politike në vend si dhe zhvillimet e fundit, përfshirë edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe raportet me Serbinë.

Në këtë tekst “mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, që reflekton orientimin proevropian të qytetarëve të saj dhe përcaktim të qartë gjeopolitik”.

Në këtë mënyrë parlamenti Evropian përshëndet aktin e aplikimit që Kosova kishte bërë në dhjetor të vitit të shkuar gjatë kryesimit të Çekisë në Bashkimin Evropian.

Tash Suedia, e cila e ka kryesimin e radhës, është duke zhvilluar konsultimet me vendet anëtare për hapat e mëtejmë në këtë proces.

Në draftin e raportit të hartuar nga Viola von Cramon, po ashtu “mirëpritet marrëveshja e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”. Sipas planit, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë më 1 nëntor të këtij viti, nëse deri atëherë hyn në funksion sistemi elektronik i BE-së për autorizimin e udhëtimeve, i njohur me shkurtesën ETIAS, ose jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Parlamenti Evropian përsërit edhe kësaj radhe thirrjen për njohjen e Kosovës si shtet sovran nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që akoma nuk e kanë bërë një hap të tillë.

Parlamenti Evropian do të ftojë Kosovën që të vazhdojë punën në reformat e nevojshme për progresin në rrugëtimin evropian, ku në veçanti përmendet sundimi i ligjit dhe raportet me Serbinë.

Në tekst bëhet thirrje edhe për një angazhim të sinqertë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për një dialog i cili “do të forconte besimin e ndërsjellë”.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, përsëritet thirrja që të dyja shtetet të angazhohen në frymën e kompromisit për të arritur “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, të bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Po ashtu, bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në tekstin e draftit të raportit për Kosovën dënohen edhe tensionet në veri të vendit; mirëpritet pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale; përshëndeten edhe marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit.

Parlamenti Evropian mbështet edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e vendit për t’u përfshirë edhe në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Parlamenti Evropian përshëndet përshtatjen e Kosovës me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Në këtë pikë, në raportin për Serbinë, shprehet keqardhje për mospërshtatjen e Serbisë me qëndrimet e BE-së rreth sanksioneve ndaj Rusisë.

Serbisë i bëhet thirrje që të mbështesë këto qëndrime për të dëshmuar se është e orientuar drejt integrimeve në BE. Në veçanti, raporti përmend edhe hapësirën që Serbia i jep disa mediave nga Rusia, për të funksionuar dhe për të shtrirë propagandën ruse.

Në Parlamentin Evropian ka propozime edhe për kushtëzimin e vazhdimit të negociatave të anëtarësimit të Serbisë me BE-në, me mbështetjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Deputetët e Parlamentit Evropian do të kenë mundësi deri me 15 shkurt të dorëzojnë amandamentet e tyre për këto raporte dhe më pas do të votohet për to dhe për raportin në tërësi.

Shija e redaktorit

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Të fundit nga rubrika