Pas 24 vjetësh, rivarrosen Muharrem Bobi dhe Jashar Hamzaj- viktima të luftës së fundit në Kosovë

Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit gjatë luftës në Kosovë, ka shpjeguar rastin ku mbetjet janë identifikuar gabimisht, në bazë të metodës tradicionale të identifikimit, e cila bazohet në të dhënat antropomorfe, në rrobat që kanë pasur veshur viktimat ose në objektet e gjetura në varre

Jashar Hamzaj e Muharrem Bobi, që për këto 24 vjet ishin në Listën e Personave të Zhdukur, tashmë do të gjejnë prehje të përhershme në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve dhe Martirëve në Lybeniq.

Eshtrat që për më shumë se 23 vjet kishin qenë të varrosur në emër të viktimave Bajram Alimehaj dhe Selim Aliçkaj, u zhvarrosën dhe në një procedim të identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, dhanë dy identifikime të reja: Jashar Hamzaj dhe Muharrem Bobi.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit gjatë luftës në Kosovë, ka shpjeguar këtë rast ku mbetjet janë identifikuar gabimisht, në bazë të metodës tradicionale të identifikimit, e cila bazohet në të dhënat antropomorfe, në rrobat që kanë pasur veshur viktimat ose në objektet e gjetura në varre.

“Muaj më parë, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur kishte pranuar një raport analitik që rekomandonte takimet me familjet e 12 viktimave që kishin identifikuar të afërmit e tyre përmes metodave tradicionale, kryesisht veshmbathjeve dhe kishin rivarrosur të afërmit e tyre. Por në të njëjtën kohë në morgun e IML-së në mesin e mbetjeve mortore të paidentifikuara vazhdonin të ishin edhe mbetjet mortore që përfaqësonin 11 individë që potencialisht mund të ndërlidheshin me viktimat e masakrave të Lybeniqit”.

“Analizat e ADN-së konfirmuan identifikimin e dy viktimave të masakrave në Lybeniq, Bajram Alimehaj dhe Selim Aliçkaj duke nënkuptuar që eshtrat e rivarrosura qysh në vitin 1999 mund t’i përkisnin viktimave tjera. Këto identifikime duhej të pasonin me një sërë hapash që kërkonte jo vetëm riangazhim institucional, por edhe mirëkuptim të familjeve”, ka thënë Gara.

Për identifikimin e këtyre mbetjeve mortore ka folur edhe ushtruesi i detyrës së Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Haliti ka thënë se identifikimi i tyre ka ndodhur pas një procesi të gjatë në të cilin janë përfshirë shumë organizata, si në nivelin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar.

“Për këtë duhet falënderuar familjet të cilat kanë bashkëpunuar në trajtimin e kësaj çështjeje, duke qenë se një pjesë e viktimave nga masakra e Lybeniqit nuk janë varrosur në mënyrë shkencore d.m.th, por kanë qenë përmes një identifikimi pa ADN, mirëpo duke qenë se është vërejtur se … i përket këtyre varrimeve në identifikim, atëherë është parë e domosdoshme që të merret gjaku nga ato familje dhe pas kësaj kemi vërejtur që realisht dy nga trupat kanë qenë rrjedhimisht të varrosur pasi që trupat e tyre kanë qenë në morgun e IML-së. Në ndërkohë është bërë ndërrimi i trupave, do të thotë janë varrosur ashtu siç janë identifikuar me ADN dhe i janë kthyer familjeve”, ka thënë ai.

“Rreth 280 raste të mbetjeve njerëzore të paidentifikuara në morgun e Prishtinës”

Në morgun e Prishtinës, janë rreth 280 raste të mbetjeve njerëzore të paidentifikuara të cilat janë zhvarrosur dy dekada më parë, thekson Haliti.

Këto mbetje mund t’u përkasin njerëzve, familjet e të cilëve besojnë se i kanë varrosur, ndërsa, në fakt, kanë varrosur dikë tjetër.

“Në morg, numrin preliminar që e kemi janë diku rreth 280 mbetje mortore të paidentifikuara, të gjitha këto përfaqësojnë një individ dhe një numër i madh i tyre mund të lidhet edhe me procesin e keqidentifikimit, por sigurisht të gjitha këto do të trajtohen gjatë këtij procesi”, shtoi Haliti.

Ndonëse ai thotë se është shumë e vështirë për familjarët që të hapen plagët e vjetra, të tilla raste si të Jashar Hamzajt e Muharrem Bobit nuk i përjashton.

“Rastet e ngjashme natyrisht që nuk përjashtohen, duke marrë parasysh se një numër i madh i identifikimeve që kanë ndodhur pas luftës janë bërë pa ADN, mirëpo natyrisht që jo të gjitha këto raste janë në raport. Ne si institucion po i trajtojmë këto raste … do të thotë vetëm aty ku ka bazë ku dyshohet se ka mundur të ndodhë ndonjë gabim në ndërrim apo keqidentifikim, ne do t’i trajtojmë. Kështu në të ardhmen mund të ndodhin rastet e ngjashme”.

Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë thotë se të dhënat e ICMP-së për mbetjet e paidentifikuara njerëzore në morgun e Prishtinës janë “vetëm një vlerësim” dhe se numri i saktë i tyre do të dihet vetëm pasi të përfundojë plotësisht procesi i rishikimit të mbetjeve mortore.

Ky proces, sipas tij, ka filluar që të zbatohet “në bashkëpunim të ngushtë me anëtarët e tjerë të grupit punues: EULEX (Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë), Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur (KQPZH), Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) dhe Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur”.

“Rishikimi i mbetjeve mortore është një proces që nuk shkon shpejt, shkon më ngadalë, duke marrë parasysh se përveç mbetjeve mortore të cilat janë duke u trajtuar, kanë edhe dosjet e tyre, do të thotë të gjitha dosjet që lidhen me këta trupa duhet të shqyrtohen një nga një, të trajtohen me kujdes, duke i krahasuar gjetjet tona me gjetjet që janë bërë në të kaluarën. Nuk mund të jap një kohë të caktuar se sa do të zgjasë, mirëpo ne po punojmë vazhdimisht në këtë proces”, tha më tej Haliti.

Deklarata për Personat e Zhdukur

Deklarata për Personat e Zhdukur u miratua në Bruksel më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Mbi 1 mijë e 600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Në Deklaratë, ndër të tjera, thuhet se jepet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe të Serbisë.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe mbi 1 mijë e 600 konsiderohen të zhdukur.

Që nga viti 1999, në territorin e Serbisë janë gjetur trupat e pajetë të më shumë se një mijë qytetarëve nga Kosova, të zhdukur në luftë.

Varreza më e madhe masive me trupa të shqiptarëve nga Kosova është gjetur në Batajnicë – lokacion afër kryeqytetit të Serbisë, Beograd. Në vitin 2001, atje janë gjetur trupat e 744 shqiptarëve.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” vjen me ofertë deri në 50 %...

Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë po vjen me edicionin e dytë me radhë, andaj një festë e madhe po përgatitet për të...

Osmani: Protesta e 1 Tetorit ndryshoi rrjedhën e historisë dhe...

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se protesta e 1 Tetorit 1997 ishte moment kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë. Osmani...

Rutte merr udhëheqjen e NATO-s, e shpall Ukrainën prioritet kryesor

Mark Rutte, ish-kryeministër i Holandës, është emëruar Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, duke zëvendësuar Jens Stoltenberg, i cili udhëhoqi Aleancën për një...

Të fundit nga rubrika