Pas zgjerimit të aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve, pritet të shtyhet fillimi i gjykimit

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mund të mos fillojë këtë vit pasi, të njëjtit, tani do të përballen me pretendime të reja të Zyrës së Prokurorit të Specializuar

Taulant Hodaj

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), mund të mos fillojë këtë vit pasi, të njëjtit, tani do të përballen me pretendime të reja të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Të martën e 10 majit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të paraqiten ndaras para gjyqtarit të procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Këtë e ka bërë të ditur, Taulant Hodaj, avokat i akredituar nga Specialja, në një intervistë për KSP, duke theksuar se zgjerimi i aktakuzës do të vonojë edhe më tutje fillimin e gjyqit, ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Nuk besoj se këtë vit do të fillojë gjykimi fare sepse do të marrë shumë kohë, tash i takon e drejta mbrojtjes që të kundërshtojë dhe shumë mocione të tjera që do t’i përdorë. Po ashtu edhe prokuroria e ka të drejtën e vet t’i përgjigjet kundërshtimeve të tyre dhe kjo merr kohë, siç na ka treguar praktika në këtë rast dy vitet e kaluara”, ka thënë ai.

Duke folur për këtë rast, i cili është ende në procedurë paraprake, Hodaj ka thënë se do të nevojitet kohë e konsiderueshme për përgatitjen e lëndës dhe dorëzimit të saj te trupi gjykues, çka pastaj i hap rrugë fillimit të gjykimit.

Ndërsa për paraqitjet që do të bëhen nesër në gjykatën e Hagës, Hodaj ka thënë se ata do të deklarohen rreth pikave të zgjerimit të aktakuzës.

“Është bërë ndryshimi i aktakuzës në kuptim të zgjerimit, pra zgjerimi i aktakuzës me dy pika u janë shtuar edhe disa raste për katër të akuzuarit. Pra janë këta të akuzuar dhe pikat e aktakuzës të njëjta, siç kanë qenë më parë, por janë shtuar disa vendngjarje. Pas kësaj, konform rregullores së procedurës së provave i rrjedh afati mbrojtjes që t’i bëjë kundërshtimet e tyre paraprake në këtë procedurë”, ka thënë Hodaj.

Krerët e UÇK-së

Gjykata Speciale ka njoftuar se “pas dorëzimit të aktakuzës së ndryshuar, Gjykatësi i Procedurës Paraprake në çështjen Thaçi dhe të tjerët, caktoi paraqitjet e mëtejshme për secilin të akuzuar më 10 maj 2022”.

Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u janë rënduar akuzat për krime të luftës, kësaj here nën pretendimet se janë kryer në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës.

Në anekset e aktakuzës, pa përmendur emra, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së u kanë shkaktuar viktimave lëndime fizike e psikikeu

“Anëtarët e UÇK-së shkaktuan vuajtje ose lëndime serioze mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin njerëzor të viktimave duke i ndaluar në mënyrë arbitrare (shih Pikën 3). Anëtarët e UÇK-së, gjithashtu, u shkaktuan viktimave vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin e tyre njerëzor, duke i keqtrajtuar dhe/ose përmes kushteve të cilave iu nënshtruan viktimave gjatë ndalimit të tyre”, thuhet në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Për këto aneksa të reja të aktakuzës, Dhomat e Specialzuara kanë caktuar katër seanca, në të cilat të akuzuarit do të deklarohen për fajësinë.

Deri më tash, asnjë nga të akuzuarit e Gjykatës Speciale nuk e ka pranuar fajësinë. Të gjithë, pa përjashtim, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.

Ish-krerët e UÇK-së po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë nga muaji nëntor i vitit 2020.

Aktakuza ndaj tyre, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë, janë deklaruar të pafajshëm.

Të martën e 10 majit, nga ora 10:00, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të paraqiten ndaras para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika