Menjëherë pas dështimit mandatarit të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për të marrë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë së re, PDK-ja dhe LDK-ja kërkuan nga presidentja Vjosa Osmani të shpallë zgjedhjet e parakohshme pa humbur kohë.
Pasi tha se zgjedhjet e reja do të duhej të mbaheshin qysh në Qershor të këtij viti, ish-kryetari i PDK-së, deputeti Memli Krasniqi, pas seancës, theksoi se e para e shtetit duhet të veprojë sa më parë të jetë e mundur.
“Shpresoj shumë që, zgjedhjet e jashtëzakonshme, që duhet të shpallen sot ose nesër, pa humbur kohë, vërtetë t’u japin qytetarëve një mundësi për verdiktin e tyre… E diela e parë brenda afatit kushtetues është data që duhet të ndodhin (zgjedhjet)”, ka thënë Memli Krasniqi, Deputet i PDK-së.
Derisa para seancës kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vlerësoi se presidentja pati gjykim të gabuar kur i dha dy javë kohë Konjufcës, deputeti tjetër i kësaj partie, Armend Zemaj, kërkoi shpalljen e shpejtë të zgjedhjeve.
“Ne edhe ashtu kemi humbur shumë gjatë këtij viti, por bllokuesi sot e mori përgjigjen edhe me votë. E thërrasim edhe Presidenten të respektojë afatet Kushtetuese dhe të mos lejoj asnjë ndërhyrje të kujtdo qoftë në vendimet e saj”, ka thënë Armend Zemaj, Deputet i LDK-së.
Zgjidhje, zgjedhjet i konsideroi edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, që foli për muajt e humbur.
Një konsultim i Presidentes me partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pritet t’i paraprijë caktimit të datës së zgjedhjeve – që duhet të mbahen më së largu 40 ditë nga shpërndarja e Kuvendit./TVDukagjini