
Në Prishtinë nis sot edicioni i dytë i Prishtina Dance Festival, një festival ndërkombëtar i dedikuar vallëzimit, i cili këtë vit sjell një numër të madh artistësh dhe valltarësh nga vende të ndryshme të Evropës.
Festivali do të mbahet nga 4 deri më 7 shtator 2026, në Klan Arena në Prishtinë, me një program të pasur me punëtori, performanca dhe aktivitete të ndryshme të vallëzimit.
Në kuadër të festivalit do të funksionojnë tri skena të vallëzimit: Salsa, Bachata dhe Fun Stage, ndërsa programi nis sot, të premten, në orën 13:00 dhe vazhdon deri të hënën, më 7 shtator, në orën 04:00.
Instruktori i vallëzimit, Rron Haxhiislami, ka thënë për RTV Dukagjinin se ky edicion është më i madh se ai i vitit të kaluar, veçanërisht sa i përket numrit të artistëve ndërkombëtarë.
Në festival do të marrin pjesë 32 artistë ndërkombëtarë nga vende të ndryshme të Evropës, të cilët do të zhvillojnë punëtori dhe performanca.
Pjesë e festivalit janë edhe artistë e profesionistë vendorë.
Në emisionin “Rreth e Rrotull” në TV Dukagjini kanë folur instruktori dhe valltari Dren Maliqi, DJ-i Atdhe Gashi dhe koreografja Arian Qizmolli.
Maliqi ka treguar se me vallëzim ka filluar të merret që nga viti 2012, ndërsa prej më shumë se një dekade është aktiv edhe si instruktor.
“Ia kam filluar në klasë për vallëzim më 2012, tash 14 vjet. Dhe si instruktor i kam më shumë se 10 vjet”, ka thënë Maliqi.
Ndërkohë, Atdhe Gashi, i cili në festival është i angazhuar në pjesën e bachatas, ka treguar për rrugëtimin e tij nga valltari në DJ.
“Për Prishtina Festival jam për bachata. Jam rrit me salsa, mirëpo kur jam bërë DJ, se përpara kam qenë valltar, pastaj jam bërë DJ, më kanë njohur për bachata”, ka thënë Gashi.


