Publikohen 9 pikat e planit franko-gjerman

Mediumi “Euroactiv” e ka publikuar përmbajtjen e propozimit franko-gjerman për një kornizë të re të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku bëhen të ditura nëntë pikat e këtij plani





Propozimi franko-gjerman për një kornizë të re të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po konsiderohet si një plan konkret për arritjen e një marrëveshjeje finale midis dy palëve.

Mediumi “Euroactiv” ka zbuluar në mënyrë indirekte përmbajtjen e këtij propozimi i cili përbëhet prej nëntë pikave.

Neni 1

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.

Neni 2

Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga aspiratat e tyre reciproke për anëtarësim në BE.

Neni 3

Në përputhje me MSA-në [Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit] të nënshkruara nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet asaj kohe ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës. Ata riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen e kufirit që ekziston mes tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëri-tjetrit.

Neni 4

Kosova dhe Serbia vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga dy palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj.

Neni 5

Kosova dhe Serbia do të promovojnë marrëdhënie paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal në Evropë.

Neni 6

Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë.

Neni 7

Kosova dhe Serbia deklarojnë gatishmërinë e tyre për të rregulluar çështjet praktike dhe humanitare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ata do të lidhin marrëveshje me synimin për të zhvilluar dhe promovuar në bazë të këtij Traktati dhe për përfitimin e tyre të ndërsjellë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhënieve gjyqësore, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, sportit, mjedisit, mbrojtjes dhe në fusha të tjera. Detajet janë rënë dakord në Protokollin Suplementar.

Neni 8

Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse. Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Kosova dhe Serbia pajtohen që ky Traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i pyetur nga gazetarët për planin franko-gjerman ka thënë se është një hap në drejtim të duhur, pasi konceptet dhe nocionet që përdoren janë vlera në dallim prej dakordimeve të mëhershme që ishin ideologji e zgjidhjes së problemeve.

“Tashmë nuk jemi te ajo, tash jemi te vlerat, e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtim të duhur”, gjersa ka shtuar se ky plan ka mbështetjen e Brukselit dhe të Washingtonit.

Ndërsa, ai ka thënë se ky plan është refuzuar nga Beogradi pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të mbajtur nga ata që tentojnë destabilizim e pasiguri në Kosovë.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur rreth planit franko-gjerman, të martën në Klan Kosova, gjersa ka thënë se esenca e këtij plani është që Serbia të heqë dorë nga pretendimet ndaj Kosovës.

“Tash kur po e sheh që Serbia po afrohet një zgjidhje me Kosovën, me ç’rast bashkësitë ndërkombëtare më të fuqishme evropiane si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pozicionimin e qartë. Do t’ia propozojnë Serbisë një plan, i cili në thelb nëse do ta përkthesh se çka i bie ai plan, është të heqë dorë ndaj pretendimet e saj ndaj Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Tutje, Konjufca ka theksuar se baza e planit është e shëndoshë dhe ka tri principe kryesore, gjersa ka shtuar se prej shtatorit kur e ka parë këtë plan e ka menduar se Kosova nuk e ka luksin ta refuzojë atë.

“Baza e tij është një bazë e shëndoshë për ecje përpara, për arsye se aty është neni 2 i kësaj marrëveshjeje që është thelbi i kësaj marrëveshjeje. Që nga shtatori kur e kam parë mendoj se nuk e kemi luksin ta refuzojmë. Plani ndërtohet mbi tri principe: Është e drejta e barabartë mes shteteve, respektimi i sovranitetit reciprok dhe e drejta e palëve për vetëvendosje”, ka theksuar Konjufca.

Ndërsa, sipas Konjufcës, ky plan është një bazë e mirë për të zgjidhur relacionet mes Kosovës dhe Serbisë.

 




Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika