Rastet tronditëse të viteve të fundit, si u trajtuan vrasjet e grave në Kosovë?

Portali Dukagjini sjell një përmbledhje të rasteve të vrasjes ndaj grave përgjatë viteve të fundit në Kosovë. Rasti më i freskët është ai i vrasjes që tronditi vendin më 29 nëntor, i Liridona Ademajt, dhe dënimi i Dardan Krivaqës me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit. Këto dy raste tregojnë edhe profesionalizmin e lartë nga Organet e Drejtësisë në Kosovë lidhur me vrasjet në vend

Foto Ilustruese

Vrasja e Liridona Ademajt më 29 nëntor në Prishtinë ka shkaktuar reagim të madh publik, me kërkesa për ndaljen e dhunës mbi baza gjinore dhe vrasjes së grave.

Derisa ky rast është në fillim të hetimeve, ka shumë raste që janë kritikuar për mënyrën se si u trajtuan nga drejtësia në Kosovë.

Thuajse, një vit më parë, Hamide Magashi u vra nga bashkëshorti i saj në oborrin e QKUK-së. Magashi ishte 35 vjeçe dhe në javën e fundit të shtatzënisë. Ajo u vra, edhe pse kishte urdhër mbrojtje nga policia ndaj bashkëshortit të saj.

Rasti, që ndodhi në fund të nëntorit, vuri në pah edhe një herë dështimin e organeve të rendit në mbrojtjen e grave, kur ato janë viktima të dhunës në familje.

Hamide Magashi u vra, përkundër që kishte një urdhër mbrojtje të lëshuar nga Gjykata. Magashi në disa raste e kishte lajmëruar policinë se burri i saj, Sokol Haliti, po ushtronte dhunë ndaj saj. Dy ditë pas vrasjes, Sokol Haliti vrau edhe veten në shtëpinë e tij, pas disa negociatave për dorëzim me policinë.

Ky nuk ishte rasti i vetëm i vrasjes së grave në Kosovë. Lirie Qerimaj dhe Sadije Godeni janë gjithashtu viktima nga vrasjet që i shkaktuan bashkëshortët e tyre.

Në gusht të 2022, u raportua për mbase ngjarjen më të rëndë të vitit. Një 11-vjecare dyshohet se u dhunua nga pesë persona, në mes tyre, dy të moshës së rritur, kurse tre të mitur.

Më vonë doli në publik edhe një rast tjetër i vajzës së njëjtë, e cila dyshohet se kishte qenë viktimë e dhunimit edhe në qershor.

Rasti i Marigona Osmanit

Në gusht të vitit 2021, e ndjera Marigona Osmani ishte dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente të Ferizajt, e lënë në spital nga dy të akuzuarit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu. Dy vite më vonë, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me burgim të përjetshëm të akuzuarin Krivaqa, ndërsa, me 15 vjet burgim të akuzuarin Sejdiu.

Dy të akuzuarit, Krivaqa dhe Sejdiu, megjithatë u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi, sipas Gjykatës, nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçare, kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Fotoilustrim, Dardan Krivaqa në njërën nga seancat ku u gjykua për vrasjen e Marigona Osmanit

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani së ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për ta fshehur veprën penale të dhunimit.

Krivaqa dhe Sejdiu u akuzuan për një sërë veprash penale, përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit, si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Aktakuza thotë se Sejdiu me dashje kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Ai akuzohet se edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor është duke lëvizur aty pari.

Që të dy akuzohen, po ashtu, se kanë tentuar t’i fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.

Lexo edhe: Vrasja e Marigona Osmanit, gjithçka nga gjykimi i Krivaqës dhe Sejdiut

***

Vrasjet që mbetën nën hije

  • Rasti i Lirie Qerimaj

Në janarin e këtij viti, Lirie Qerimaj ishte gjetur e vrarë në shtëpinë e saj në Llaushë të Skenderajt. Ajo u godit me armë zjarri për vdekje nga bashkëshorti i saj, Skënder Qerimaj.

Viktima kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por asaj nuk i ishte dhënë siguri. 5 ditë para vrasjes, Lirije Qerimaj e kishte raportuar rastin në polici.

Rasti Lirie Qerimaj, Marshi protestues

Viktima e këtij rasti, Lirije Qerimaj, më 1 janar kishte kërkuar mbrojtje nga shteti pas dhunës nga burri i saj, ndërsa kërkesa për mbrojtje ishte dorëzuar në ditën kur ajo u vra, më 5 janar. Rastin fillimisht e kishte lajmëruar djali i saj, i cili kishte thënë se nëna e tij, Lirija, kishte pasur dhunë psikike nga babai i tij, Skender Qerimaj.

Lirije Qerimaj ishte lënë në një shtëpi me burrin e saj, i cili dyshohet se kreu vrasjen më 5 janar dhe se së njëjtës nuk i është ofruar që të qëndrojë në një strehimore për shkak të dhunës psikike që kishte raportuar.

  • Rasti i Sebahate Sopi

Në marsin e vitit 2021, Lulëzim Sopi e kishte vrarë me armë zjarri gruan e tij Sebahaten, e më pas e kishte goditur edhe veten. Të dy ishin burrë e grua, që kishin pasur në vazhdimësi probleme, e për të cilat Sebahatja kishte raportuar në institucionet e drejtësisë.

Megjithatë, Prokuroria nuk e mori këtë rast me seriozitet, dhe Sebahate Sopi më pas u vra. Dështimin e shtetit e kishte konfirmuar edhe Avokati i Popullit, kurse tashmë vajza e Sebahates i është drejtuar me ankesë Gjykatës Kushtetuese.

Sebahate Sopi

“Kështu, L.S kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të Sebahate Morinës, ku më pas kishte vrarë edhe veten. Në raport thuhet se si pasojë e dhunës së vazhdueshme në familje, palët kishin filluar procedurat e shkurorëzimit. Tashmë e ndjera, Sebahate Morina, kishte raportuar dy herë rastin e dhunës në familje, por autoritetet përkatëse nuk e kishin trajtuar rastin me seriozitet”, thuhej në raportin e Avokatit të Popullit.

  • Rasti i Sabile Mavrovqani

Në fshatin Berivojcë të Kamenicës, mesditën e 25 korrikut 2020, u krye një tjetër akt i tmerrshëm i dhunës në familje.

Nuhi Mavrovqani e kishte goditur gruan e tij Sabilen me shufër metalike, deri në vrasje.

Sipas aktakuzës, Nuhi Mavrovqani, edhe pasi gruaja e tij kishte rënë në tokë pas dy goditjeve të para, kishte vazhduar ta godiste me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar plagë të rënda në anën e majtë të kafkës dhe në pjesët e tjera të trupit, të cilave nuk kishte arritur t’u mbijetonte.

Tragjedinë e bënin më të madhe dy fakte: E para që gruaja kishte lindur fëmijë vetëm pak javë më parë. Kurse, tjetri është që Nuhi Mavrovqani kishte qenë i dënuar edhe më herët për dhunë në familje dhe vepra të tjera penale.

Marsh Protestues per Stop Dhunes ndaj Grave

Sërish, shteti dështoi t’i ofronte siguri gruas nga Kamenica. Nuhi Mavrovqani ishte dënuar me burgim të përjetshëm, por më pas atij iu zbut dënimi në 25 vjet burgim.

  • Rasti i Valbona Marku – Nrecaj

Në muajin gusht të vitit 2018, një tjetër vrasje tronditi vendin. Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj u qëlluan për vdekje me kallashnikov nga bashkëshorti, përkatësisht babai, Pjetër Nrecaj.

Valbona kishte tentuar të kontaktojë me policinë për kërcënimet ndaj saj, por që dilemat u shfaqën se policia nuk e kishte kryer punën si duhet. Edhe pse u dorëzua kallëzim penal ndaj policëve, me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk pati rezultat, pasi u konstatua se s’pati shkelje.

Valbona Marku – Nrecaj

Çifti kishte pasur probleme edhe në të kaluarën. E shtetin e bëri direkt fajtor vëllai i Valbonës, Shkëlzen Marku.

“Shteti ka dështuar t’i ofrojë ndihmë motrës sime, veç se janë shtetase të Shqipërisë”, kishte thënë ai.

  • Rasti i Zejnepe Berishës

Më 23 dhjetor të vitit 2015, do të ndodhte një tjetër vrasje në familje, e cila do ta trondiste Kosovën. Zejnepe Berisha u vra nga burri i saj, Nebih Berisha, i cili e goditi me thikë mbi 20 herë, në prezencë të fëmijëve të mitur.

Pak ditë pas vrasjes, në publik dolën detaje të reja. Zejnepe Berisha e kishte raportuar me dhjetëra herë në polici dhunën në familje, por që i dyshuari sërish ishte lënë në liri.

Zejnepe-Berisha-Protesta

Fillimisht, Nebih Berisha ishte dënuar me 12 vjet burgim, vendim që solli protesta e reagime në Kosovë vite më parë. Ndërkaq, Gjykata e Apelit më pas ia kishte shtuar edhe 5 vjet dënim, duke bërë që dënimi final të arrinte në 17 vjet burgim.

Edhe në këtë rast, askush nuk dha përgjegjësi në lidhje me mosveprimin e shtetit, si dhe dështimin për t’ia ofruar sigurinë Zejnepe Berishës.

  • Rasti i Diana Kastratit

Në muajt e parë të vitit 2011, Diana Kastrati kishte shkuar në Gjykatën Komunale të Prishtinës, për të kërkuar urdhërmbrojtje nga personi me të cilin po bashkëjetonte.

Kjo, pasi Kastrati ishte bërë subjekt i dhunës në familje nga Adnon Jashari, personi me të cilin i kishte kaluar dhjetë vitet e fundit.

Megjithatë, kjo urdhërmbrojtje nuk ishte marrë parasysh nga institucionet e drejtësisë. Pasojat ishin fatale.

Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011 në një rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë.

Foto: Diana Kastrati

Përkundër që tanimë e ndjera Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje emergjente, Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës me mosveprim i kishte cenuar këtë të drejtë, duke mos i ofruar mbrojtje deri kur kërcënimi u realizua dhe Diana Kastrati u vra, siç u raportua nga ish-partneri i saj.

Tash e 11 vjet, i dyshuari për vrasjen e Diana Kastratit është në liri. Ai jeton në Spanjë, dhe përkundër që kërkohet nga INTERPOL-i, nuk mund të ekstradohet në Kosovë, për shkak se Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Një dekadë pas vrasjes, gjykata e kishte obliguar shtetin që familjes së Kastratit t’ia paguajë 95 mijë euro si dëmshpërblim.

***

Statistika nga Policia e Kosovës

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Policia e Kosovës bën të ditur se në vitin 2022 janë evidentuar 2 mijë e 756 raste të dhunës në familje, në këto raste kanë qenë 2 mijë e 228 viktima femra dhe 517 meshkuj.

Për sa u përket vrasjeve, në vitin 2022 numërohen shtatë të tilla, katër prej tyre ndaj grave dhe tri ndaj meshkujve.

Ndërkaq, përgjatë periudhës janar-tetor 2023, numërohen 4 raste të vrasjeve, ku prej këtyre rasteve, janë evidentuar pesë viktima, prej të cilave tri janë femra.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika