Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në disa komuna të Kosovës.
Në Prishtinë, disa rrugë janë mbushur me ujë, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Komuna ka apeluar për kujdes, duke shtuar se, shkaku i vërshimeve, mund këtë probleme në qarkullimin rrugor, me kanalizime dhe rrëshqitje dheu.
Në Skenderaj, kryetari i komunës Sami Lushtaku ka njoftuar se reshjet e vazhdueshme kanë shkaktuar vërshime në disa zona, duke prekur disa familje. Sipas tij, ekipet emergjente janë në terren që nga mesnata dhe po monitorojnë situatën.
Ndërkohë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka ndërprerë furnizimin me ujë për shkak të rritjes së turbullueshmërisë në kanalin Ibër-Lepenc, duke theksuar se masa është marrë për garantimin e sigurisë së ujit të pijes.
Probleme janë raportuar edhe në Malishevë, ku është vërshuar parkingu nëntokësor, vetëm pak ditë pas përurimit të tij.
Gjendje e rëndë paraqitet edhe në disa zona të Rahovecit.
Me njoftime të ngjashme kanë dalë edhe disa komuna të tjera, si ajo e Gjakovës, Klinës
Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se reshje të konsiderueshme shiu janë regjistruar nga 3 deri më 5 janar, veçanërisht në pjesën perëndimore të vendit, duke ndikuar në rritjen e niveleve të ujërave.