Në një rrëfim të drejtpërdrejtë nga burgu në emisionin “Prapa grilave” me Liridon Llozani, një i ri 25-vjeçar flet për përvojën e tij me drogën – nga përdorimi i parë në moshën 16-vjeçare, deri te përfshirja në shpërndarjen e sasisë së konsiderueshme të marihuanës dhe kontaktet me botën e narkotikëve përmes aplikacioneve të rrjeteve sociale.
Ai ishte përdorues, por shumë shpejt u bë pjesë e zinxhirit të shitjes.
“E merr 2 euro gramin, e shet 10. Bon pare pak. Kam dashtë me ia marrë paret njerit, me e lanë pa pare”, rrëfen ai pa ndrojtje.
Sipas tij, përmes një sasie prej 20 kilogramësh marihuanë, të cilën e kishte siguruar për 26 mijë euro, përfitoi mbi 70 mijë euro duke shpërndarë përmes rrjetit të tij njerëzish që i quante “ushtarë”.
Ai vetë nuk e sheh veten si diller, por më shumë si përdorues që “shiste për të pasur çfarë të konsumonte vetë”.
Krahas marihuanës, ai pranon se kishte përdorur edhe kokainë.
“E kam marrë për me nejt qut, aktiv, me prit mysafirë. Ka gjysmë grami, një gram… më mbante zgjuar 24 orë,” tregon ai, duke sqaruar efektet e fuqishme psikoaktive të substancës dhe ndikimin e saj në sjelljen dhe përditshmërinë e tij.
Në këtë rrëfim, ai shpjegon se si tregtia me drogë nuk është vetëm çështje fitimi, por edhe një cikël që vështirë se thyhet.
“Të bën me u shty me njerëz të këqij, me u marrë me veresi, me pritje. Krejt vijnë me kërku mallin”, shprehet ai.
Tutje ai tregon për tregtinë që bëhet nëpër rrjete sociale, me emra anonimë e nofka të koduara, ku “snapchat-i” është bërë vendi kryesor i marrëveshjeve.
Për vite me radhë, ai pretendon se ka shpërndarë deri në 100 kilogramë marihuanë dhe ka qenë dëshmitar i tregtisë aktive me kokainë dhe substanca të tjera në vende të frekuentuara nga të rinjtë.
“Kokaina të shtin në minus, në tokë të bjen. Edhe miliarderi me kanë, e humb”, thotë ai, duke reflektuar për pasojat afatgjata.
Përkundër gjithçkaje, ai deklaron se është penduar.
“Jam pendu. Si të dal, dua me punu në autolarje, me la makina. As nuk pi, as nuk përdori. Kush shet, kam me spiunua. Nuk dua më me hy në burg”, shprehet ai.
Por sa është kjo pendesë e sinqertë, mbetet pyetje e hapur për ekspertët e fushës.
Sociologët dhe psikologët e shohin rikthimin në jetë normale si proces të gjatë dhe të pasigurt, sidomos nëse mungon mbështetja institucionale dhe familjare.
Ky rrëfim nuk është i vetmi. Sipas tij, shumë të rinj në qytete të ndryshme janë të përfshirë në këtë rrjet të fshehtë, me qindra gramë që shpërndahen çdo javë nëpër kafene, lokale nate dhe rrugë të qyteteve, larg syrit të organeve të rendit.
Ai beson se 90% e të rinjve janë përdorues.
“Ka sa të duash. Kur ke pare, i ke të gjitha”, thotë ai.