Rritet numri i banorëve serbë në veri që marrin targa të Kosovës

Deri më tani rreth 3 mijë qytetarë kanë regjistruar automjetet e tyre, duke përfituar nga lehtësimet financiare që ofron ky proces, kanë thënë nga MPB-ja

Më 1 dhjetor është afati i fundit për banorët serbë në veri të Kosovës që të zëvendësojnë targat e makinave të tyre me inicialet “KM” të lëshuara nga Serbia, me targa të Republikës së Kosovës, me inicialet “RKS”.

Autoritetet në Kosovë mirëpresin interesimin e shtuar të banorëve serbë për të regjistruar makinat me targa të ligjshme.

Çështja e targave ishte një nga shkaktarët kryesorë të tensioneve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Svetolik Radovanoviç është një nga shumë banorët serbë në veri të Kosovës, që në fillim të javës regjistroi makinën e tij me targa të ligjshme, në prag të afatit të 1 dhjetorit.

Një numër në rritje banorësh serbë janë parë në pikat e kontrollit teknik të automjeteve në Mitrovicën e Veriut, për të regjistruar dhe ndryshuar targat e makinave të tyre.

“Po ndryshoj targat e makinës nga KM në RKS. Procesi po shkon mirë, ka pak pritje, por mirë. Arsyeja pse po ndryshoj targat është sepse nuk do të mund të lëviz me targat KM”, thotë Radovanoviç.

Një grup i tyre u joshën nga ndihmat financiare të qeverisë së Kosovës për ata që regjistrojnë makinat deri më 31 tetor, duke shmangur pagesën për taksat dhe tarifën e regjistrimit të makinës.

“E mirëpresim vullnetin, së fundmi të shtuar, të pjesëtarëve të komunitetit tonë në katër komunat veriore për regjistrimin e makinave, në përputhje me vendimin e fundit të qeverisë së Republikës së Kosovës. Deri tani rreth 3 mijë qytetarë kanë regjistruar automjetet e tyre, duke përfituar nga lehtësimet financiare që ofron ky proces”, thotë Nora Fetoshi, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Pas përfundimit të afatit, çdo targë “KM” do të jetë e paligjshme. Në rrugë do të lejohen vetëm makinat me targat e Republikës së Kosovës apo “RKS”.

“Pas datës 1 dhjetor, pra pas afatit, Policia e Kosovës nuk do të bllokojë veriun. Policia e Kosovës do t’i konsiderojë këto si vetura të paregjistruara. Pra, ato nuk duhet të jenë në qarkullim. Oficerët e policisë do t’i ndalojnë këto makina, do t’u marrin targat, do të japin dënime për mosregjistrim të makinës, por pronari i makinës do të lejohet të largohet me makinë nga rruga. Nëse e shohim prapë të njëjtën makinë në rrugë, me siguri do ta marrim”, thotë për agjencinë e lajmeve Associated Press Veton Elshani, zëdhënës i policisë në Mitrovicën e Veriut.

Çështja e targave të makinave ishte një nga arsyet e dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe vitin e kaluar.

Ata kundërshtuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për të ndaluar përdorimin e targave të lëshuara nga Serbia.

Ligjvenësit, prokurorët dhe oficerët serbë të Policisë së Kosovës, gjithashtu, braktisën postet e tyre nga organet lokale.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në veçanti pas sulmit të 24 shtatorit të një grupi serbësh të armatosur, ku si pasojë mbetën të vrarë një polic i Kosovës dhe tre prej autorëve të sulmit.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin. Përgjegjësinë për të e mori Milan Radoiçiq, ish- nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë. Beogradi mohon të ketë ndonjë lidhje me sulmin./VOA

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika