Rritet numri i vdekjeve në Pakistan, një e treta e tyre janë fëmijë

25 fëmijë ishin në mesin e 57 të vdekurve të shtunën në Pakistan, si pasojë e përmbyjteve në vend. Raportohet se OBSH-ja ka lëshuar 10 milionë dollarë për të trajtuar të lënduarit, për të ofruar furnizime në objektet shëndetësore dhe për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive. Njëherësh, ndihmë është ofruar edhe nga Kina dhe Britania e Madhe

Përmbytjet në Pakistan

Agjencitë humanitare kanë paralajmëruar se Pakistani ka nevojë për ndihmë afatgjate pasi numri i të vdekurve nga përmbytjet katastrofike vazhdon të rritet.

Numri i vdekjeve që nga 14 qershori u rrit në 1,282 të shtunën, raportoi Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive të vendit, i cili njëherësh bën të ditur se pothuajse një e treta e viktimave janë fëmijë. Vetëm të shtunën pati edhe 57 vdekje të tjera, 25 prej tyre fëmijë.

Agjencitë e ndihmës paralajmërojnë se problemet e vendit nuk kanë mbaruar dhe se me rritjen e nivelit të ujërave, fëmijët do të jenë ndër më të rrezikuarit, përcjell CNN.

Përmbytjet të cilat janë një rezultat i kombinimit të shirave rekord të musonit dhe shkrirjes së akullnajave në malet veriore të Pakistanit, janë përshkruar si më e keqja që vendi ka parë ndonjëherë.

Në një moment, më shumë se një e treta e vendit ishte nën ujë, sipas imazheve satelitore nga Agjencia Evropiane e Hapësirës, ​​dhe qeveria dhe organizatat e ndihmës thonë se 33 milionë njerëz janë prekur.

Midis tyre, më shumë se tre milionë fëmijë kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare për shkak të rrezikut të sëmundjeve që vijnë nga uji dhe kequshqyerja, sipas UNICEF.

Përmbytjet kanë dëmtuar dhe shkatërruar 17,566 shkolla në mbarë vendin, thotë UNICEF, duke rrezikuar më tej arsimimin e fëmijëve pas dy vjetësh mbylljeje si rrjedhojë e pandemisë globale COVID-19.

Agjencitë e ndihmës thonë se edhe nëse përmbytjet tërhiqen, vendi do të përballet me një rrugë të gjatë drejt rimëkëmbjes.

“Të mbijetuarit duhet të fillojnë nga e para,” tha Aurelie Godet, një zëdhënëse e Medecins du Monde, një organizatë e ndihmës humanitare që ka punuar në Pakistan që nga viti 1966.

“Kjo nuk do të përfundojë për dy muaj, ata kanë nevojë për ndihmë afatgjatë.”

Dy provincat më të prekura janë Balochistan dhe Sindh, në Pakistanin jugor, ku infrastruktura dhe sistemet e ujit janë dëmtuar.

Duke bërë thirrje për ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif vlerësoi javën e kaluar se fatkeqësia kishte shkaktuar më shumë se 10 miliardë dollarë dëme në infrastrukturë, shtëpi dhe ferma.

Ndër të tjera, bëhet e ditur se është ngritur një Qendër Kombëtare e Reagimit dhe Koordinimit ndaj Përmbytjeve dhe se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar 10 milionë dollarë për të trajtuar të lënduarit, për të ofruar furnizime në objektet shëndetësore dhe për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive. Kina dhe Britania e Madhe gjithashtu kanë premtuar miliona ndihma për vendin.

Më shumë se 1 milion shtëpi janë shkatërruar, ndërsa të paktën 5000 kilometra rrugë janë dëmtuar, sipas autoritetit të menaxhimit të fatkeqësive.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika