Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit, e paraparë të nisë në ora 10:00, ende nuk ka filluar, pavarësisht se kanë kaluar mbi gjysmë ore nga koha e caktuar.
Brenda objektit të Kuvendit tashmë ndodhen kryeministri Albin Kurti dhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Megjithatë, në sallën e Kuvendit ende nuk ka hyrë asnjë deputet, ndërsa nisja e seancës vazhdon të mbetet në pritje.
Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po bën përpjekje maksimale për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Duke hyrë në Kuvend, Kurti ka theksuar se mbetet të shihet nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë në votim.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë as në seancën e sotme e thirrur për zgjedhjen e presidentit nga Lëvizja Vetëvendosje. Këtë e ka konfirmuar deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Ai u përgjigj shkurt për mediat, duke thënë: “Jo, në këtë seancë jo”.