Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën Presidentes së re.
Shiroka-Pula u zgjodh Presidente në rundin e parë të votimit me 81 vota, pas një marrëveshjeje të minutës së fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Votimi i fshehtë nisi gjashtë minuta para mesnatës së 6 tetorit, kur skadonte afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa përfundoi pas mesnatës.
Gjatë betimit para deputetëve, Shiroka-Pula tha se e pranon me përgjegjësi detyrën e re, duke u zotuar se do të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe shtetit”, deklaroi ajo.
Ajo u zotua gjithashtu se do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e Republikës dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.
Kush është Justina Shiroka-Pula?
Justina Shiroka-Pula është ekonomiste dhe akademike dhe ka qenë gruaja e parë që ka udhëhequr Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ajo ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare në teorinë dhe politikën e zhvillimit ekonomik i ka përfunduar në Zagreb. Doktoratën e ka marrë në Universitetin e Prishtinës.
Shiroka-Pula ka punuar në Bankën Popullore të Kosovës dhe në vitin 1978 ka nisur karrierën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.
Në periudhën 2008–2011, Shiroka-Pula ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.
Pas luftës, ajo është angazhuar edhe në shoqërinë civile, me fokus në fuqizimin e grave, barazinë gjinore, zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësinë.
Zgjedhja e saj në krye të shtetit erdhi pas një periudhe të gjatë të bllokadës institucionale, ndërsa procesi i votimit është zhvilluar në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.
