Shkaktarët e përgjithshëm të aksidenteve me autobusë

Një autobus që po udhëtonte nga Kosova në drejtim të Gjermanisë është aksidentuar në Austri me ç’rast kanë mbetur të lënduar disa persona të cilët besohen se janë me prejardhje nga Kosova. Ndryshe në të kaluarën vetëm nga katër aksidente me autobusë prej vitit 2002 deri në 2021 kanë mbetur të vdekur 43 persona

Ilustrim nga aksidenti ne Kroaci i vitit 2021, ku kishin mbetur të vdekur 10 persona

Udhëtarët e linjës Kosovë-Austri, ishin me fat kur shpëtuan vetëm me lëndime trupore, kur gjatë ditës së enjte autobusi me të cilin po udhëtonin pësoi aksident në Austri. Autobusi i cili kishte destinacion Gjermaninë, ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit. Sipas Spitalit të Salzburgut, nga 25 pasagjerët, tetë kishin kërkuar ndihmë mjekësore.

Në lidhje me këtë aksident dhe shkaktarët e përgjithshëm të aksidenteve, Portali D ka kontaktuar me ekspertin e komunikacionit Faton Bunjakun. Ai është shprehur i rezervuar për aksidentin e së enjtes në Austri, për të cilin ka thënë se duhet pritur raporti zyrtar i hetuesve austriakë.

Por, sipas tij, në përgjithësi e jo për këtë rast, ai ka thënë se ngjarjet e ngjashme ndodhin për shkak të lodhjes së shoferit apo problemeve teknike të automjeteve transportuese.

Faton Bunjaku ekspert i komunikacionit

“Këto aksidentet që po ndodhin jashtë vendit, unë do të isha rezervuar dhe u kisha bërë thirrje qytetarëve që të rezervohen. Mendoj se duhet të jemi më të kujdesshëm, pasi  aksidentet janë ngjarje komplekse. Duhet të bëhen hetime zyrtare, atëherë angazhohen ekspertë dhe zbardhen të gjitha detajet”, ka deklaruar ai.

Sipas Bunjakut, shkaktarë për aksidentet rrugore, janë tre faktorë kryesorë, njeriu, mjeti dhe rruga. Ai është shprehur se zakonisht në Kosovë fajtor është faktori njeri, i cili sipas tij, nuk tregohet i kujdesshëm sa duhet.

Aksidenti në Austri

Bunjaku u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të angazhojnë ekspertë rrugorë për projektimin e rrugëve, në mënyrë që aksidentet të jenë sa më të pakta.

“Mendoj se si qytetarë të tregohemi më të kujdesshëm t’i respektojmë këta faktorë, por edhe shteti duhet të bëjë më shumë për angazhimin e ekspertëve, projektuesve të rrugës dhe pajisjeve me shenjë të trafikut. Element kryesor se te ne në Kosovë, që duhet t’i kushtojmë vëmendje është mënyra e pajisja me patent shofer, ushtrimi i një aparati të kontrollit në lidhje me aftësimin e kandidatëve të rinj”, ka deklaruar ai.

Aksidentet e tjera me autobusë që përfunduan me fatalitet

Për dallim nga ky i ditës së enjte në Austri, në vitin 2021, një aksident tragjik kishte ndodhur në Slavonski Brod të Kroacisë, ku një autobus nga Kosova ishte aksidentuar me ç’rast kishin mbetur të vdekur dhjetë persona. Autobusi ishte i linjës Frankfurt-Prishtinë, në të cilin ishin pasagjerë rreth 60 persona. Për këtë rast, Gjykata në Kroaci e kishte dënuar me gjashtë vjet burg shoferin e autobusit, i cili është akuzuar se nga pakujdesia kishte shkaktuar aksidentin.

Në vitin 2010, përmes një aksidenti tjetër rrugor me autobus, kishin vdekur gjashtë persona të cilët po udhëtonin për në Gjermani. Ngjarja tragjike kishte ndodhur në afërsi të kryeqytetit të Austrisë, Vjenës. 30 nga pasagjerët e tjerë kishin shpëtuar vetëm me lëndime trupore.

Më 14 tetor të vitit 2004, një aksident i rëndë kishte ndodhur në Fushë Arrëz të Pukës në Shqipëri, ku kishin vdekur 15 maturantë nga Kosova, të cilët kishin shkuar atje për ekskursion. Brenda autobusit i cili ishte rrokullisur dhe kishte rënë në humnerë, kishin qenë brenda, rreth 49 maturantë, 34 nga të cilët kishin shpëtuar vetëm me lëndime, për dallim nga 15 bashkëmoshatarët e tyre të cilët nuk e kishin pasur atë fat.

Ishte viti 2002, kur gjatë udhëtimit me autobus nga Ulqini i Malit të Zi në drejtim të Kosovës kishin humbur jetën 12 persona, si pasojë e daljes nga rruga të autobusit dhe rënies poshtë një kodre. Rtv Dukagjini kishte përgatitur një kronikë në lidhje me këtë rast, ku kishin folur nga njëra familje të cilët kishin shpëtuar, për fat të mirë, vetëm me lëndime.

Shija e redaktorit

Trump, presidenti i ri i SHBA-së

Kandidati i republikanëve, Donald Trumpit është fituesi i zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës . Ai ka tejkaluar pragun prej 270 vendeve të...

Haradinaj bën homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit: Ishte ndër...

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit të kombit, Zahir Pajaziti në Prishtinë në ditëlindjen...

BE dorëzon progres-raportin, Rama: Dokumenti më i mirë ndërkombëtar për...

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka thënë se plani për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit...

Të fundit nga rubrika