Shumë ikin, e pak vijnë

Në periudhën janar-gusht të vitit 2022 janë gjithsej 414 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë. Ndërkaq, Bashkimi Evropian në tremujorin e parë të vitit 2022 kishte pranuar 650 kërkesa për azil nga shtetasit kosovarë

Ilustrim





Mbi 400 persona, kryesisht nga Siria, gjatë periudhës janar-gusht të vitit 2022 kanë hyrë në territorin e Kosovës në mënyrë ilegale, duke kërkuar kështu edhe azil.

Ndryshe nga viti 2022, në dy vitet paraprake janë regjistruar rreth dy mijë persona që kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare në qendrat për azil.

Në statistikat e dërguara për Portalin Dukagjini nga Ministria e Punëve të Brendshme, është bërë e ditur se aktualisht në Kosovë janë 40 aplikues për mbrojtje ndërkombëtare.

“Në vitin 2020 ishin, gjithsej, 1406 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare. Në vitin 2021 ishin, gjithsej, 578 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare. Sa i përket vitit 2022 – periudha janar-gusht 2022 kemi, gjithsej, 414 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ndonëse nga institucionet e Kosovës është pohuar se ofrojnë kushte të nevojshme për të gjithë ata persona të cilët kërkojnë të qëndrojnë në Kosovë, jo të gjithë nga azilantët e shohin Kosovën si vendin e duhur për jetesë.

Siç thonë zyrtarë të këtij dikasteri, Kosova po shfrytëzohet si vend tranzit për të kaluar më pas në vendet perëndimore.

Drejtori i Qendrës për Azil në fshatin Magurë të Lipjanit, Fitim Zariqi, ka thënë se duke marrë parasysh ditët mesatare të qëndrimit të azilkërkuesve në Kosovë, e që sipas tij është 17 ditë, “i bie që të njëjtit e shohin Kosovën më shumë si vend ndërmjetësues për të kaluar në vendet e tjera”.

Drejtori i Qendrës për Azil në fshatin Magurë të Lipjanit, Fitim Zariqi

Ai në një intervistë me shkrim për Portalin Dukagjini, ka thënë se që nga fillimi i këtij viti e deri më tani, vetëm një personi i është pranuar njohja e statusit të refugjatit.

“Gjatë periudhës një janar 2022 deri më 31 gusht 2022, njohjen e statusit të refugjatit e ka fituar një person. Për vitin 2022 kanë qenë gjithsejtë 21 familje me azilkërkues”, ka thënë Zariqi, teksa shtoi se vendet kryesore nga të cilat azilkërkuesit vijnë në Kosovë janë, Maroku, Siria, Afganistani dhe Algjeria.

Ai ka theksuar se prej tyre 92 për qind janë djem/burra, mbi 84 për qind janë të moshës rreth 30-vjeçare, dhe 97 për qind prej tyre i përkasin besimit islam.

“Aktualisht i kemi të strehuar në Qendrën për Azil 24 azilkërkues. Fluksi më i madh i azilkërkuesve në Republikën e Kosovës ka qenë në vitin 2019, me gjithsejtë 2081 azilkërkues”, ka deklaruar Zariqi.

Siç ka potencuar Zariqi, ndonëse dëshira për të qëndruar në Kosovë nuk është e madhe, megjithatë nuk duhet mohuar që ka edhe kërkesa për lejeqëndrim.

Ai ka treguar se azilkërkuesit mund të qëndrojnë në Qendrën për Azil deri sa të përfundojë procedura e azilit dhe që vendimi lidhur me kërkesën për azil të ketë marrë formën e prerë.

Sa i kushton buxhetit të vendit një azilkërkues?

Kushtet që ofrohen në Qendrën për Azil janë, strehimi, akomodimi, ushqimi tri herë në ditë, pako higjienike, veshmbathje sipas nevojës, shërbime mjekësore, medikamente, shërbime juridike, psikologjike, sociale, kurse dhe trajnime etj.

Të gjitha këto shërbime ofrohen falas.

“Për ofrimin e këtyre shërbimeve e kemi mbështetjen edhe të organizatave të ndryshme humanitare në Kosovë si; UNHCR, JRS, CRPK, KRCT etj”, është shprehur Zariqi.

Ai ka njoftuar se azilkërkuesit përfitojnë asistencë sociale në vlerë prej 70 eurosh për person, ndërsa për familje kjo asistencë mbërrin deri rreth 150 euro.

“Një azilkërkues buxhetit të Kosovës i kushton rreth 22€ në ditë, duke përfshirë këtu shpenzime për ushqim, pako higjienike, veshmbathje, mjekim-medikamente, si dhe shpenzime të tjera siç janë; shpenzimet për ujë, energji elektrike, sigurim fizik i objektit, derivateve për gjenerator, ngrohje qendrore etj”, ka thënë Zariqi.

Ndërkaq, nga MPB-ja është bërë e ditur se, sipas legjislacionit në fuqi, në momentin që u është njohur mbrojtja ndërkombëtare aplikantëve si status refugjati apo mbrojtje plotësuese kanë të drejtë të punësohen menjëherë.

Ndërsa, nëse janë ende në procedurë të shqyrtimit, pas nëntë muajsh ata kanë të drejtë pune.

Qendra për Azil në Magurë të Lipjanit

Ndryshe, azilkërkuesit që i pranohet azili në Kosovë pajiset me leje qëndrim dhe akomodohet në banim privat, me ç’rast ai gëzon një mori të drejtash sipas nenit 35 të Ligjit për Azil.

Në anën tjetër, sipas Zariqit, ata që refuzohen u jepet një afat i caktuar që ta lëshojnë vullnetarisht territorin e Republikës së Kosovës dhe nëse nuk e respektojnë këtë afat atëherë i ekspozohen largimit me forcë.

Se Kosova po shfrytëzohet si vend tranzit, e thonë edhe përfaqësuesit e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Drejtori ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Behxhet Shala, në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se Kosova nuk është destinacioni i fundit i atyre që hyjnë në territorin e saj.

“Refugjatët të cilët vijnë nga shtetet arabe si pasojë e luftës ose kushteve të rënda ekonomike largohen nga vendet e tyre dhe Kosovën e përdorin si tranzit për të qëndruar një kohë dhe pastaj për të shkuar në vendet perëndimore apo në SHBA”, ka thënë ai.

Behxhet Shala – drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë (KMLDNJ)

Sipas tij, edhe pse Kosova ka probleme në ofrimin e kushteve për azilkërkuesit, ndihma e ndërkombëtarëve dhe organizatat që merren me këtë kategori bën që Kosova të bëjë përpjekje për të strehuar një numër të caktuar të azilkërkuesve.

A rrezikohet siguria kombëtare nga ata që vijnë nga një zonë e konfliktit të luftës?

Shala nuk e ka mohuar prekjen e sigurisë kombëtare nga azilkërkuesit që vijnë nga vendet që janë në konflikt lufte.

“Nuk është se nuk preket siguria kombëtare, por nuk rrezikohet për faktin se ata janë në mbikëqyrje të shërbimit të intelegjencës së Kosovës dhe në raste kur vlerësohet se mund ta rrezikojnë sigurinë me ndonjë veprim, ndaj tyre merren masa ose mund të dërgohen në ndonjë vend tjetër”, shtoi ai.

Ndryshe, Bashkimi Evropian në tremujorin e parë të vitit 2022 kishte pranuar 650 kërkesa për azil nga shtetasit kosovarë.

Kështu ka bërë të ditur Agjencia e BE-së për Azil, për Portalin Dukagjiniku përmes një përgjigjeje me shkrim ka treguar statistika të hollësishme.

“Në tremujorin e parë të vitit 2022, vendet e BE+ kanë pranuar 650 aplikime nga shtetas kosovarë. Në vitin 2021, shifra për vitin ishte 2,395”, ka thënë Andrew McKinlay – zyrtar për komunikim dhe media.

Sa i përket grupmoshës, bazuar në numrin e përgjithshëm të kërkesave (650), rreth ¼ e aplikantëve kanë qenë të mitur, kurse pjesa tjetër e tyre ishin të rritur.

“Në tremujorin e parë të vitit 2022, 165 ishin të mitur dhe 490 ishin të rritur”, shtoi McKinlay për Portalin Dukagjini.

Statistikat e Agjencisë së BE-së për azil.

Rreth 64 për qind e aplikuesve për tremujorin e parë të vitit 2022 ishin burra, kurse rreth 35 për qind prej tyre ishin gra.

Vendet e BE-së të cilat kanë pranuar më së shumti aplikime nga shtetasit kosovarë konsiderohen të jenë Franca, Gjermania dhe Italia.

Lidhur me refuzimin dhe pranimin e kërkesave, McKinlay, ka bërë të ditur se në vitin 2021, 90 shtetas kosovarë morën vendim pozitiv për statusin e Konventës së Gjenevës, gjegjësisht të qenët refugjat në vendet e BE+.

Ndërsa, sipas tij, “80 shtetas morën mbrojtje plotësuese”.

Në Ballkanin Perëndimor i vetmi vend që nuk e gëzon lëvizjen e lirë është Kosova, edhe pse i ka plotësuar të gjitha kriteret nga, gjithsejtë, 95 sa i kishte vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.





Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika