Sopjani: Ndaj të dyshuarit s’është ndërmarrë asgjë, gjatë bastisjes i është gjetur pushkë gjuetie

Ish-inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, ka deklaruar se ndaj të dyshuarit (Prek Kodra), nuk është ndërmarrë asgjë. Ai ka thënë se gjatë bastisjes, të njëjtit i është gjetur një pushkë gjuetie dhe disa fishekë, por jo edhe snajper

Shkëlzen Sopjani – Ish- inspektor i përgjithshëm në AKI





Pas raportimit se ekzistonte një plan për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2021, një gjë të tillë nuk hezitoi ta konfirmonte Qeveria.

Sipas njoftimit, thuhet se institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi dhe se rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik.

Ndërkaq, ish-inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, ka deklaruar se ndaj të dyshuarit (Prek Kodra), nuk është ndërmarrë asgjë.

Madje ai ka thënë se gjatë bastisjes, të njëjtit i është gjetur një pushkë gjuetie dhe disa fishekë, por jo edhe snajper.

“Sa i përket informacionit me vetë faktin që nuk ka pasur veprime pas informacionit, ai personi për të cilin është folur sot që ka pasur ta kryejë atentatin nuk është se ka ndonjë profil të lartë, dhe me potencial që ka mundur ta kryejë këtë atentat sidoqoftë ndaj tij nuk është ndërmarrë ndonjë veprim. Ai është në liri, nuk person që është në paraburgim”, ka thënë Sopjani.

“Atij kurrë nuk i është gjetur snajper se i është bërë bastisje në një kohë, se ky informacion nuk është i ri, kjo ngjarje ka ndodhur një vit më parë. Atij personi i është gjetur një pushkë e gjuetisë me disa fishekë, dhe jo snajper”, shtoi Sopjani.

Ai ka theksuar se pas rastit në fjalë, kryeministri Kurti i kishte rritur masat e sigurisë.

Ai ka potencuar se “rasti nuk është se ka pasur diçka shumë konkrete, ka qenë në nivel të informacionit sipas të gjitha gjasave intelgjentë me vetë faktin se nuk janë marrë veprime nga organet ligjzbatuese”.

Megjithatë, ai ka thënë se kur është në pyetje kryeministri i shtetit sigurisht që duhet të shtohen masat e sigurisë.

Sipas tij, ky rast është trajtuar seriozisisht deri në nivelin sa është mundur të trajtohet seriozisht nga organet.

Ndryshe të hënën e 19 shtatorit, mediumi shqiptar A2news, ka raportuar se ka ekzistuar një plan për vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti.

Sipas këtij mediumi, kjo është bërë e ditur nga një dokument i cili është bërë publik të hënën nga disa hakerë, të cilët dyshohet se këto dokumente i kanë marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

“Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën, kështu rezulton në një dokument të bërë publik këtë të hënë, nga hakerët, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano”.

“Në dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit, dhe ndaj Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet”, thuhet në raportimin e A2neës.

I dyshuari, sipas A2 news, është Prek Kodra, i cili sipas raportimit të këtij mediumi, ka aftësi të mirë në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje të tjera në Kosovë e Mal të Zi.

“I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës”, thuhet në postimin e A2neës.

Sipas Policisë Shqiptare, ky person është me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezullua urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë, raporton A2.

Sipas mediumit A2, fillimisht ishte planifikuar vrasja e Ismet Haxhës, pas një muaji, ishte planifikuar të vritej edhe Xhavit Haliti, dhe pastaj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti”.

Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës.

Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në katër muajt e ardhshëm.




Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika