Spanja e heq fjalën “gra” nga ekipi kombëtar i futbollit

Federata e Futbollit e Spanjës (FFS) për këtë veprim shpreson se do të dëshmojë se ka bërë “ndryshim konceptual” në mënyrën sesi e sheh sportin

Ekipi kombëtar i Spanjës gjatës stërvitjeve. Foto: Reuters

Duke e hequr shprehjen “futbolli i grave” nga emri i ekipit të vet kombëtar, Federata e Futbollit e Spanjës (FFS) shpreson se do të dëshmojë se ka bërë “ndryshim konceptual” në mënyrën sesi e sheh sportin.

Mbetet të shihet nëse vendet e tjera do ta ndjekin shembullin e Spanjës.

Spanja e bëri këtë ndryshim për të pasur barazi më të madhe, pas një marrëveshjeje në mes të shtëpisë së futbollit në vend dhe ekipit që e fitoi Kupën e Botës 2023, e cila u arrit pas shumë mospajtimeve që kur ish-presidenti i federatës, Luis Rubiales, e puthi me zor në buzë futbollisten Jenni Hermoso gjatë ceremonisë së trofeut, kur Spanja u bë kampione e botës në Australi muajin e kaluar.

Emri i ekipit të grave është quajtur tradicionalisht “de fútbol femenino” – apo në shqip “futbolli i grave”.

Por, nga tani e tutje, ekipet kombëtare të burrave dhe të grave do të njihen të dyja zyrtarisht si “Selección Española de fútbol”, apo në shqip “Ekipi kombëtar i Spanjës në futboll”.

“Më shumë se një ndryshim simbolik, ne duam që kjo ta përfaqësojë një ndryshim konceptual, dhe pranimin se futbolli është futboll, pavarësisht se kush e luan atë”, tha presidenti i përkohshëm i FFS-së, Pedro Rocha.

Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, ka mbajtur bisedime joformale në të kaluarën për mënyrën sesi vendet mund ta zgjidhin çështjen e emrit, por nuk ka dhënë ndonjë propozim zyrtar.

Vendet e tjera, si Anglia dhe Shtetet e Bashkuara, kanë krijuar barazi duke iu referuar atyre si ekipet kombëtare të “burrave” dhe të “grave”.

Por barazia është më e vogël kur bëhet fjalë për turnetë e mëdha.

Gara më elitare dhe prestigjioze e burrave quhet thjesht Liga e Kampionëve. Gara e njëjtë e grave, megjithatë, quhet Liga e Kampionëve e Grave.

Njëlloj, Kampionati Evropian i burrave i vitit të ardhshëm quhet Euro 2024. Gara e njëjtë e grave më 2025 quhet Euro e Grave.

Kupa Botërore e Grave në Australi dhe në Zelandë të Re u mbajt disa muaj pas asaj të burrave, emri zyrtar i së cilës ishte thjesht FIFA Kupa e Botës. /REL

 

 

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika