Stadiumi “Yarmouk”, i vendosur në qendër të qytetit të Gazës dhe dikur një vend për ngjarje sportive dhe kulturore, është shndërruar në një strehë të përkohshme për qindra familje palestineze të zhvendosura nga sulmet izraelite.
Familjet e zhvendosura përpiqen të mbijetojnë në tenda të improvizuara të ngritura në fushën me bar të stadiumit, në kushte jashtëzakonisht të vështira pa qasje në ujë, energji elektrike apo infrastrukturë bazë.
Shumica e familjeve që jetojnë në tenda kanë mbështetje të kufizuar nga iniciativat lokale vullnetare dhe organizatat humanitare për të përmbushur nevojat e tyre të përditshme.
Sipas Zyrës së medias qeveritare të Gazës, rreth dy milionë nga 2.4 milionë banorët e enklavës janë zhvendosur gjatë dy viteve të fundit të luftës gjenocidale të Izraelit në enklavë.
Zyra shton se gati 288 mijë familje palestineze kanë mbetur të pastreha ndërsa civilët e zhvendosur përpiqen të mbijetojnë në zona të vogla dhe të mbipopulluara ku mungojnë nevojat themelore.
Izraeli ka vrarë afër 69 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 170 mijë të tjerë në sulmet në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023.
Një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit u arrit më 10 tetor, bazuar në një plan paqeje prej 20 pikash të propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Megjithatë, Izraeli e ka shkelur armëpushimin disa herë.