Stano: Kosova dhe Serbia nuk do të përparojnë drejt BE-së nëse s’i zbatojnë marrëveshjet

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Kosova dhe Serbia nuk mund të përparojnë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nëse nuk bëjnë përparim në zbatimin e Marrëveshjes

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Kosova dhe Serbia nuk mund të përparojnë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nëse nuk bëjnë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera, të arritura në kuadër të dialogut.

“BE-ja shpreh keqardhje për përparim të kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes, i cili mund t’u atribuohet të dyja palëve”, tha Stano në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.

Marrëveshja parasheh, mes tjerash, respektimin e ndërsjellë të pavarësisë dhe integritetit territorial, njohjen e dokumenteve, diplomave, targave, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit, shëndetësisë dhe të personave të zhdukur.

Serbia, gjithashtu, mori përsipër që të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Kosova pranoi që komunitetit serb t’i sigurojë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, përkatësisht themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Por, një vit më vonë, nga të gjitha pikat e marrëveshjes u zbatuan vetëm ato që kanë të bëjnë me personat e zhdukur dhe njohjen e targave.

Me nënshkrimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur gjatë Luftës në Kosovë, palët morën përsipër të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet që posedojnë, përfshirë edhe ato “konfidenciale”.

Dy palët i njohën, po ashtu, targat e makinave të njëra-tjetrës. Nga janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës nuk i mbulojnë më simbolet shtetërore me afishe të bardha, derisa lëvizin me automjete në territorin e Serbisë dhe anasjelltas.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, akuzoi Serbinë për refuzim të zbatimit të Marrëveshjes dhe tha se ajo nuk do që ta nënshkruajë atë.

BE-ja këmbëngul se marrëveshja, edhe pse nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme dhe se obligimet që dalin prej saj, janë pjesë integrale e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011./REL

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika