Stano: Sjellja e Bislimit ndaj zyrtarëve të BE-së, e papranueshme

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Sjellja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE) është e papranueshme, tha të enjten zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme” ka thënë Stano për Dukagjinin.

Të mërkurën, Bislimi tha se e refuzoi një ftesë të Brukselit për të biseduar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe e akuzoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, për shkelje të parimeve.

Bislimi tha se Lajçaku, me dërgimin e kësaj ftese, kishte shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, pasi sipas tij, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”.

Stano konfirmoi se BE-ja i kishte ftuar Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për çështjen e dinarit në një takim që parashihej të zhvillohej më 27 shkurt.

Ai tha se ftesa e të dërguarit të posaçëm të BE-së, megjithatë, nuk specifikonte se kush prej secilës palë duhej të merrte pjesë në takimin e ftuar nga ai për 27 shkurt.

“Zakonisht, ne nuk i komentojmë shkëmbimet me partnerët tanë. Megjithatë, ftesa përmes letrës nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, kjo u ishte lënë palëve të vendosin”, sqaroi Stano.

Ai shpjegoi se ftesa u bë pas takimeve ndarëse që përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell, kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Munih të Gjermanisë javën e shkuar, ku u diskutua çështja e dinarit, sipas tij.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës – që parasheh euron si valutën e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme – hyri në fuqi më 1 shkurt.

Stano tha se BE-ja po bën përpjekje për të gjetur një zgjidhje për problemin e krijuar nga “vendimi i pakoordinuar i njërës palë, i cili nuk i ishte komunikuar paraprakisht popullatës në të cilën ndikon”.

Ai e përsëriti qëndrimin se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës do të ketë “ndikim serioz” për popullatën serbe në Kosovë dhe komunitetet e tjera, posaçërisht ata që marrin asistencë financiare nga Serbia.

“BE dhe vendet anëtare ishin shumë të qarta në reagimet e tyre ndaj këtij vendimi kundërproduktiv dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet brenda kornizës së dialogut”, theksoi Stano.

“Sjellja jokonstruktive nga ana e autoriteteve të Kosovës, dështimi dhe mungesa e angazhimit vetëm e distancon Kosovën nga perspektiva e saj evropiane”, paralajmëroi ai.

Edhe më parë Bashkimi Evropian ka kërkuar që çështja e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Po ashtu, edhe autoritetet bankare në Serbi kanë kërkuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun në Bruksel, duke mos e pranuar kërkesën e Kosovës që ato të bisedojnë drejtpërdrejt me Bankën Qendrore të Kosovës për këtë.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika