Stavileci: Rritja e pagave dhe tërheqja e mjeteve nga Trusti të bëhen sa më shpejt

Stavileci ka thënë se rritja e pagës minimale dhe tërheqja e kursimeve nga Trusti, janë zgjidhja e duhur për të ndaluar krizën e varfërisë, në të cilën po thellohen qytetarët

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Blerand Stavileci, të dielën në një konferencë për media, ka thënë se tash e dy vjet qytetarët e vendit po vazhdojnë të përballen me kriza e vështirësi të njëpasnjëshme.

Sipas tij, kjo krizë ka nisur me pandeminë, pastaj ka vazhduar me energjinë, dhe ende pa i kaluar pasojat e rënda të njërës krizë, qytetarët po goditen nga efektet e pamëshirshme të krizës tjetër, që sipas tij është rritja e çmimeve.

Stavileci ka theksuar se rritja e pagës minimale dhe tërheqja e kursimeve nga Trusti, janë zgjidhja e duhur për të ndaluar krizën e varfërisë, në të cilën po thellohen qytetarët.

“Nisi me pandeminë, vazhdoi me energjinë elektrike, me reduktime dhe shtrenjtime, dhe tani e sa muaj me ngritje marramendëse çmimesh dhe rekorde të zeza inflacioni. Sot, si asnjëherë më parë, familjet po varfërohen dhe gjendja e tyre po rëndohet orë e çast. Buxheti i familjeve kosovare po zvogëlohet me shpejtësi të madhe, çmimet po rriten me shpejtësi edhe më të madhe e shporta po pakësohet”, ka thënë Stavileci.

Më tutje, ai ka prezantuar numra dhe fakte për gjendjen e familjeve kosovare, se si ato kanë jetuar më parë dhe si po jetojnë sot.

“Më lejoni t’jua prezantoj të dhënat e fundit në kohë reale për shportën e prodhimeve bazë për të jetuar. Në këtë krizë të madhe ekonomike, të gjitha familjet po mundohen ta gjejnë rrugën e ekzistencës, e edhe aktorët e tregut atë të mbijetesës për t’i mbuluar shpenzimet dhe për t’i kryer obligimet ndaj shtetit.”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij, në vitin 2019, të njëjtit artikujt kanë mundur të blehen me 398 euro, kurse në maj të vitit 2022, secilës familje i duhen 516 euro për të mbuluar këtë kosto.

Në të gjithë këtë kohë krize, Stavileci ka thënë se, fatkeqësisht, ka vetëm një protagonist të munguar, e ky është pushteti.

Sipas tij, pushtetit po i mungon veprimi dhe po i rritet mosdëgjimi ndaj kërkesave të qytetarëve.

“Ky pushtet në vend se të ishte në ulësen e parë për t’i dhënë zgjidhjes drejtimin, ka braktisur atë për t’i bërë krizës thellimin. Pushtetit po i mungon veprimi e po i rritet mosdëgjimi. Padija dhe mosdëgjimi po e ushqejnë arrogancën, injorimin dhe diskriminimin e qytetarëve dhe familjeve të tyre. Kjo shportë e pakuar e familjeve për t’u mbushur përsëri ashtu siç ishte dikur, duhet ta ketë vëmendjen e pushtetit dhe përmbushjen e veprimeve të qeverisë, për të cilat ajo duhet të ketë vizion dhe kurajo.”, ka thënë ai.

Sipas Stavilecit, nuk bëhet qeverisja duke munguar e abstenuar.

“Nuk zgjidhen krizat duke i shpërfillur e thelluar. Nuk ndihmohen familjet duke i varfëruar. Familjet kosovare, sot më shumë se kurrë, kanë nevojë urgjente për t’i ndihmuar.”, ka shtuar ai.

Ndër të tjera, Stavileci ka thënë se nga ana e tyre si opozitë, janë dhënë mjaft rekomandime.

“Kemi dhënë shumë rekomandime, edhe për ligjin e pagave, edhe për pagën minimale, edhe për trustin pensional. Ato duhet të ndodhin sa më shpejt”, ka përfunduar Stavileci.

Ndryshe, edhe më 23 maj, Stavileci në një konferencë për media i ka bërë thirrje Qeverisë që të zbatojë vendimin e Gjykatës në favor të 450 mijë familjeve kosovare, për uljen e çmimit të energjisë.

Stavileci ka thënë se, si opozitë po i ndajnë shqetësimet e përbashkëta me të gjithë qytetarët e Kosovës në lidhje me krizat e reja, të cilat, sipas tij, po synon t’i shkaktojë pushteti aktual.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika