Suedia dhe Finlanda do të aplikojnë së bashku për anëtarësim në NATO

Vendet skandinave janë pajtuar që në të njëjtën kohë të bëjnë kërkesën për anëtarësim në NATO, duke pretenduar se pushtimi rus në Ukrainë ka ndryshuar 'tërë peizazhin e sigurisë' së Evropës

Suedia dhe Finlanda kanë rënë dakord që të paraqesin aplikime të njëkohshme për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fillim të muajit të ardhshëm.

Këtë e ka bërë të ditur gazeta finlandeze Iltalehti, e cila ka raportuar se kryeqyteti i Suedisë, Stokholmi “u kishte sugjeruar të dy vendeve të tregonin gatishmërinë e tyre për t’u bashkuar” në të njëjtën ditë, dhe se kryeqyteti i Finlandës, Helsinki kishte rënë dakord që “për sa kohë që qeveria suedeze ka marrë vendimin e saj”.

Ndërkaq, gazeta suedeze Expressen, ka cituar burime qeveritare që kanë konfirmuar raportin. Kryeministrat e të dy vendeve kanë thënë se këtë muaj po diskutonin çështjen, duke argumentuar se pushtimi rus i Ukrainës kishte ndryshuar “peizazhin e plotë të sigurisë” të Evropës në rajonin nordik.

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, ka thënë se vendi i saj, i cili ndan një kufi 1,300 km (810 milje) me Rusinë, do të duhej të vendoste, nëse do të aplikonte për t’u bashkuar me aleancën “shumë shpejt, në javë e jo në muaj”, pavarësisht nga rreziku i zemërimit, shkruan The Guardian, transmeton RTV Dukagjini.

Sanna Marin, kryeministrja e 46-të dhe aktuale e Finlandës

Gjithashtu, homologia e saj suedeze, Magdalena Andersson, ka thënë se Suedia duhej të ishte ‘e përgatitur për të gjitha llojet e veprimeve nga Rusia’, kur Moska sulmoi Ukrainën.

Eva Magdalena Andersson është një politikane dhe ekonomiste suedeze që shërben si kryeministre e Suedisë

Rusia kishte paralajmëruar të dy vendet lidhur me një veprim të tillë, ku njëherësh edhe Kremlini ka deklaruar për The Guardian se do të detyrohej të “rikthejë ekuilibrin ushtarak” për të forcuar mbrojtjen në Shtetet Baltike, duke përfshirë vendosjen e armëve bërthamore, nëse të dy vendet vendosin të braktisin dekada të mosangazhimit ushtarak duke u bashkuar me NATO-n.

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, ka thënë javën e kaluar se një rishikim i gjerë i politikës së sigurisë do të përfundonte më 13 dhe jo më 31 maj siç ishte planifikuar fillimisht, duke shtuar se me analizën e Finlandës, të publikuar tashmë “tani ka shumë presion”.

Ann Linde, ministrja e Jashtme e Suedisë

Gazeta suedeze, Expressen, ka njoftuar se aplikimet e njëkohshme mund të dorëzohen në javën e 16 majit, që përkon me një vizitë shtetërore në Stokholm nga presidenti finlandez Sauli Niinistö.

Sondazhet e fundit të opinionit nga The Guardian, kanë treguar se deri në 68% e finlandezëve janë në favor të anëtarësimit në aleancë, më shumë se dyfishi i shifrës para pushtimit, me vetëm 12% kundër.

Ndërsa, sondazhet në Suedi sugjerojnë se një shumicë e vogël e suedezëve, gjithashtu, mbështesin anëtarësimin.

Të dy vendet janë zyrtarisht të paangazhuara ushtarakisht, por u bënë partnerë të NATO-s, duke marrë pjesë në stërvitje dhe duke shkëmbyer informacione, pasi braktisën qëndrimin e tyre të mëparshëm të neutralitetit të rreptë, kur u bashkuan me BE-në në vitin 1995 pas përfundimit të ‘Luftës së Ftohtë’.

Të dy shtetet kanë qenë të paangazhuara që nga Lufta e Dytë Botërore, pavarësisht se kanë forca të vogla ushtarake, në krahasim me Rusinë.

Mbahet një ceremoni teksa NATO nis përpjekjet për modernizimin në bazën e Kuçovës në Shqipëri më 20 janar 2022. (AA Foto)

Finlanda fitoi pavarësinë nga Rusia në vitin 1917 dhe zhvilloi dy luftëra kundër saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur edhe humbi një pjesë të territorit të saj. Finlanda kishte nënshkruar një Marrëveshje Miqësie, Bashkëpunimi dhe Ndihme Reciproke me Rusinë më 1948, duke forcuar shkallën ekonomike dhe politike.

Finlanda është mbështetur në marrëdhëniet miqësore me Moskën për të ruajtur paqen, por me pushtimin rus të Ukrainës, të cilin Moska e quan “një operacion special ushtarak”, duket të jenë gjithçka tjetër përveçse miqësore mes njëri- tjetrit.

Suedia nuk ka bërë luftë qe 200 vjet dhe politika e jashtme e pasluftës është fokusuar në mbështetjen e demokracisë në nivel ndërkombëtar, dialogun shumëpalësh dhe çarmatimin bërthamor.

Rusia paralajmëron për armë bërthamore, nëse Suedia dhe Finlanda hynë në NATO

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika