Szunyog: Të vazhdojë praktika që OSBE-ja ka vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se praktika e vendosur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duhet të vazhdojë.

Sipas tij, një gjë e tillë do të mund të ishte opsion edhe për zgjedhjet e tre prillit.

“BE-ja beson se praktika e vendosur, sipas të cilës OSBE-ja ka organizuar mbledhjen e votave në Kosovë, duhet të vazhdojë, me ndryshime të caktuara për situatën aktuale”, është shprehur ai.

Kështu, është deklaruar Szunyog gjatë një interviste për “BBC”, teksa ka kujtuar se nuk është arritur ndonjë marrëveshje në Bruksel për këtë çështje midis dy palëve.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Republikën e Kosovës, Tomas Szunyog

“Nuk ka asnjë marrëveshje në dialog për mbajtjen e zgjedhjeve serbe të ndërmjetësuara nga BE-ja në Kosovë, edhe pse të dyja palët deri më tani kanë krijuar një praktikë që lejon votimin në vetë Kosovën – dhe kjo do të ishte një opsion i mundshëm për zgjedhjet e tre prillit”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, të dielën e tre prillit do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi, për të cilat zyrtarët e lartë të shtetit kanë kërkuar që të njëjtat të organizohen edhe brenda territorit të Kosovës.

Por, kjo u kundërshtua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se për këtë duhet të ketë një ujdi midis dy vendeve.

Ndërkaq, vendet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), përmes një deklarate të përbashkët nuk e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës.

“Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të minojë aspiratat e tyre evropiane”, thuhet në deklaratën e tyre.

Propozimi i tyre ishte që zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë të përdoren si kanali i vetëm zyrtar i komunikimit në mënyrë që të përcillen kërkesat e Serbisë në Kosovë.

Lidhur me këtë, serbët e Kosovës të premten e 25 marsit, kanë protestuar në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë.

Protestuesit mbanin në duar parullat, “Me paqe kundër dhunës së Kurtit”, “Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova dhe Metohia”, “Duam vetëm të drejtat tona”, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të kryeministrit Kurti.

Megjithatë, protesta kaloi e qetë dhe pa incidente.

Po ashtu, për shkak të dështimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte mbajtur një takim me përfaqësuesit serbë të Kosovës.

Në këtë takim, të pranishëm ishin gjyqtarë e zyrtarë policorë serbë të cilët punojnë në institucionet e Kosovës.

Madje, pjesëmarrëse në atë tubim ishte edhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilana Stevanoviq, e cila më vonë u suspendua nga puna nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Sipas zyrtarëve të Kosovës, pjesëmarrja e saj në atë tubim minonte integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtares.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 24 mars kishte njoftuar për suspendimin e gjyqtares.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika