Takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel, BE-ja jep detaje

Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës

Pamje nga takimi i fundit në Bruksel





Bashkimi Evropian ka konfirmuar se takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të zhvillohet të hënën e 21 nëntorit.

Në një komunikatë për media nga BE-ja thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të hënën do të priten në Bruksel nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Të hënën, më 21 nëntor, në Bruksel do të mbahet një takim urgjent i nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Takimet do të zhvillohet fillimisht ndaras e më pas do të ketë një takim të përbashkët.

Edhe kryeministri Kurti por edhe presidenti serb e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

“Përfaqësuesi i Lartë do të nisë me takime të veçanta me secilin lider duke filluar nga ora 08:00, e më pas do të ketë një takim të përbashkët”, vijon njoftimi.

“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës”.

Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga përfaqësuesi i Lartë.

Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale.

Shumica e serbëve në veri kundërshtojnë targat që i lëshon Republika e Kosovës, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga 5 nëntor serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Partnerët ndërkombëtarë po ashtu i kanë bërë thirrje Kosovës që të të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se masa e gjobitjes për pronarët e automjeteve që qarkullojnë me targa ilegale të cilat nuk i kanë konvertuar në ato RKS, do të fillojë pas datës 21nëntor.Policia e Kosovës ka njoftuar se deri të dielën e 20 nëntorit janë shqiptuar gjithsej një mijë e 740 qortime, ndaj ndaj drejtuesve të automjeteve me targa ilegale.

Përmes një njoftimi për media, policia ka bërë të ditur se sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës pas datës 21 nëntor do të fillojnë me shqiptimin e masës së qortimit.

“Ashtu siç parashihej me vendim zyrtar nga data një nëntor 2022, pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës iu është shqiptuar masa e qortimit, me udhëzimin që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS, ku deri më sot janë shqiptuar rreth 1.740 qortime”, thuhet në njoftim.

“Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga 22 nëntor deri me datë 21 janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”, vijon njoftimi.





Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika