Të hënën varroset Mbretëresha Elizabeth II

Këtë të hënë do t'i jepet lamtumira e fundit Mbretëreshës britanike, Elizabeth II. Në varrimin e saj do të marrin pjesë mijëra persona, në mesin e tyre 500 liderë botërorë. Ndërsa, miliona njerëz të tjerë do të përcjellin varrimin e Mbretëreshës me anë të transmetimeve të drejtpërdrejta

Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth II

Me një ceremoni shtetërore do të varroset Mbretëresha Elizabeth II në Londër. Varrimi i Mbretëreshës është duke u cilësuar si operacion i “paprecedentë” i sigurisë në Londër.

Në mëngjesin e së hënës, arkivoli i Mbretëreshës Elizabeth II do të dërgohet në Kishën e Uestministerit, dhe do të mbahet një shërbesë fetare në të cilën do të marrin pjesë mijëra persona. Më pas, arkivoli i saj do të përcillet në Kështjellën Uindsor për një shërbim më privat. Në fund, Mbretëresha Elizabeth II do të varroset në një ceremoni private në faltoren e Shën Xhorxhit, pranë burrit të saj të ndjerë, Princit Philip.

Gjatë kalimit të arkivolit të mbretëreshës në rrugët e Londrës, shumë njerëz pritet të dalin në rrugët e Londrës, për t’i dhënë lamtumirën e fundit monarkes. Ndërsa, miliona të tjerë pritet të përcjellin ceremoninë mortore përmes transmetimeve të drejtpërdrejta.

Në kishën e Uestministerit, ku do të mbahet shërbesa fetare, nuk është mbajtur asnjë ceremoni mortore e monarkëve që nga shekulli i 18-të.

Kush do të jetë pjesëmarrës në varrimin e Mbretëreshës Elizabeth II?

Në shërbesën fetare do të marrin pjesë rreth dy mijë persona, në krye me Mbretin Charles III dhe pjesëtarë të familjeve mbretërore.

Pjesëmarrës në varrimin e Mbretërshës Elizabeth II do të jetë dhe presidenti amerikan, Joe Biden. Në mesin e pjesëmarrësve është dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka njoftuar se ka marrë ftesë për të qenë e pranishme në ceremoninë shtetërore të varrimit të Mbretëreshës.

Në varrimin e Mbretëreshës do të marrin pjesë Perandori i Japonisë, Naruhito dhe Perandoresha Masako, Mbreti Willem-Alexander i Holandës, Mbretëresha Maxina dhe Princesha e Kurorës, Beatrix. Po ashtu, në këtë varrim do të marrin pjesë mbreti Philippe i Belgjikës, Mbreti Harald V i Norvegjisë dhe Princi Alberti II i Monakos.

E pranishme do të jetë edhe gruaja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Olena Zelenska. Ftesën e ka pranuar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e ka quajtur Mbretëreshën Elizabeth II si “mbretëreshë të përjetshme”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ai i Brazilit, Jair Bolsorano, po ashtu do të marrin pjesë.

Në mesin e 500 liderëve botërorë do të jenë edhe ata të Italisë, Gjermanisë, Izraelit, Koresë së Jugut, Irlandës dhe liderët e 56 shteteve të Komenuellthit.

Rusia dhe Bjellorusia janë në mesin e një grupi të vogël që nuk janë ftuar fare në varrim, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Siguria gjatë varrimit të Mbretëreshës

Kryetari i Londrës, Sadiq Khan, tha se varrimi shtetëror i Mbretëreshës Elizabeth II paraqet një sfidë “të paprecedentë” sigurie sepse qindra mijëra persona do të jenë në Londër. “Kanë kaluar dekada qëkur ne kemi pasur kaq shumë liderë botërorë në një vend. Kjo është e paprecedentë… në raport me gjërat e tjera që ne po trajtojmë njëkohësisht”, tha Khan.

Sadiq Khan tha për Associated Press se në varrimin e Mbretëreshës mund të ketë të pranishëm që duan t’iu bëjnë keq liderëve botërorë, prandaj, “ne po punojmë jashtëzakonisht fort për t’u siguruar që varrimi shtetëror të shkojë si duhet”, shtoi kryetari i Londrës, raporton REL.

Gjatë varrimit të Mbretëreshës rreth 10 mijë policë do të ofrojnë siguri në Londër, po ashtu vullnetarët dhe anëtarët e ushtrisë do të jenë në detyrë.

Për shkaqe sigurie, autoritetet në Londër kanë ndaluar fluturimin e përkohshëm të dronëve, ndërkaq aeroporti “Hithrou” do të ndalojë fluturimet, me qëllim që të mos krijohet zhurmë gjatë funeralit të monarkes.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika