Dhimbjen që e kanë po ua lehtësojnë vizitat e miqve e të afërmeve të mërkurën.
Familja Bajrami në Klinë të Poshtme të Skenderajt, kanë hapur të pame për djalin e tyre, Pajtimin 36 vjeçar, që vdiq tragjikisht një ditë më parë në Vjenë të Austrisë.
Ai bashkë me dy shtetas tjerë të Kosovës, Istref Zekaj dhe Asllan Musliu humbën jetën nga plagët që morën në një kantier ndërtimi.
“Dje na kanë njoftu që ka ndodh gjatë punës më shumë nuk dijmë kurgja hala dhe po presim me na njoftu, baba i tij u nis dje tash është gati me mbërri, më shumë nuk dijmë veç e dijmë se në vendin e punës nuk po mundemi me thënë asgjë”, ka theksuar Refref Bajrami, familjar i Pajtim Bajramit.
Bajrami tha se i ndjeri ka migruar në vitin 2012 në Austri dhe vazhdimisht ka punuar në ndërtimtari.
“Që 14 vite nuk është anku asnjëherë por ka ndodh çka ka ndodh tash, atje janë me ambasada duke komuniku tash po presim”, ka deklaruar Bajrami.
Në njëjtin vend si Bajrami, vdiq edhe Istref Zekaj nga Istogu.
Edhe këtu, familjarët po presin mysafirë për kryeshëndoshë.
Vëllai i tij, tregoi se i ndjeri jetonte në Austri bashkë me gruan dhe dy vajzat e tij.
“Lajmin ne e kemi marrë mbrëmë rreth orës 22:00, familja ka hezitu me na tregu një herë por tani e kemi pa në rrjetet sociale e kemi përjetu shumë keq”, ka deklaruar Izet Zekaj, familjar i Isref Zekajt.
Ai tha se vëllai jetoi atje për 20 vjet atje porse varrimi do të bëhet në vendlindje.
“Po patjetër do ta varrosim këtu sepse këtu i kemi varrezat dhe këtu do ta varrosim vetëm se atje tash ka procedura por këtu do të varroset”, ka deklaruar Zekaj.
Veç tyre, atje ka vdekur edhe Asllan Musliu nga Dragashi.
Për të tre viktimat, Ambasada e Kosovës në Vjen ka bërë të ditur se është në kontakt me autoritetet austriake dhe familjet me qëllim të koordinimit për procedurat tjera.
Policia në Vjenë ndërkaq njoftoi se po e heton rastin për të zbuluar shkaqet e tragjedisë, duke marr në pyetje edhe dëshmitarë, punëtorë të tjerë që kanë shpëtuar.
Pos tre kosovarëve në tragjedi vdiq edhe një tjetër person ndërkaq një 47 vjeçar u lëndua rëndë.