Trumpi u njoftua për kërcënimet e dyshuara nga Irani për ta vrarë atë, thotë fushata e tij

Zyrtarët e inteligjencës amerikane e njoftuan të martën ish-presidentin amerikan, Donald Trump, për kërcënimet e dyshuara nga Irani për ta vrarë atë, tha fushata e kandidatit republikan

Zyrtarët e inteligjencës amerikane e njoftuan të martën ish-presidentin amerikan, Donald Trump, për kërcënimet e dyshuara nga Irani për ta vrarë atë, tha fushata e kandidatit republikan.

“Presidenti Trump u njoftua sot nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në lidhje me kërcënimet e vërteta dhe specifike nga Irani për ta vrarë atë, në përpjekje për destabilizim dhe për të shkaktuar kaos në Shtetet e Bashkuara”, tha fushata e Trumpit në një komunikatë të martën.

Ajo tha se zyrtarët e inteligjencës kanë zbuluar se kërcënimet iraniane “janë rritur në muajt e fundit” dhe se zyrtarët e Qeverisë amerikane janë duke punuar për ta mbrojtur Trumpin dhe për t’u siguruar se zgjedhjet nuk do të ndikohen.

Trump tha më herët në faqen e vet Truth Social se Irani përbën “kërcënim të madh” për jetën e tij, duke shtuar se përpjekjet e Iranit ishin të pasuksesshme “por ata do të tentojnë përsëri”.

Irani e ka mohuar në të kaluarën çdo pretendim të SHBA-së se po ndërhyn në çështjet amerikane.

Autoritetet amerikane janë duke i hetuar ndaras një tentim për ta vrarë Trumpin në fushën e tij të golfit në Floridë në shtator, dhe një incident me të shtëna në tubimin e kandidatit republikan për president më 13 korrik në Pensilvani.

Nuk ka tregues se Irani ka qenë i përfshirë në ndonjërin prej këtyre incidenteve.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe agjencitë e tjera federale të Shteteve të Bashkuara thanë javën e kaluar se hakerët iranianë u dërguan emaile të pakërkuara individëve të lidhur me fushatën e presidentit Joe Biden për zgjedhjet e nëntorit, të cilat përmbanin pjesë të të dhënave të vjedhura dhe jopublike të fushatës së Trumpit.

Ato thanë se kjo ishte një tjetër përpjekje e Teheranit për të ndikuar në zgjedhjet në SHBA.

Bideni ishte kandidat demokrat deri më 21 korrik, kur njoftoi se u tërhoq nga gara dhe e mbështeti Kamala Harrisin si zëvendësuese të tij.

Në gusht, Shtetet e Bashkuara e akuzuan Iranin se kreu operacione kibernetike kundër fushatave të dy kandidatëve për president amerikan.

Irani i mohoi akuzat./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika