Zbulohen katër trupa në varrezën masive në Jabukë të Zubin Potokut, Sveçla: Ishin vendosur në një gropë qereqi pas ekzekutimit

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dalë në vendin ku është zbuluar një varrezë e re masive në Jabukë të Zubin Potokut, ku ka bërë të ditur se deri tani janë nxjerrë katër trupa.

Sveçla tha se trupat dyshohet se janë ekzekutuar dhe më pas janë vendosur në një gropë qereqi, ndërsa ekipet e hetimit, forenzikës dhe Mjekësisë Ligjore të Republikës së Kosovës janë duke vazhduar punën për dokumentimin e rastit.

“Sa erdha nga lokacioni ku është zbuluar një varrezë e re masive. Deri tani janë zbuluar katër trupa, ku pas ekzekutimit janë futur në një gropë qerpiçi. Ekipet e hetimit, forenzika dhe Mjekësia Ligjore e Republikës së Kosovës janë duke bërë punën e tyre si është më së miri”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka theksuar se hetimet për përgjegjësit e këtij krimi do të vazhdojnë, duke thënë se institucionet nuk do të ndalen deri në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të pagjetur.

“Nuk do të ndalemi derisa të zbulojmë edhe të pagjeturin e fundit. Nuk do të ndalem derisa secili kriminel të paguajë për secilin krim që ka bërë, e sidomos për krimet e tmerrshme ku janë ekzekutuar njerëz të pafajshëm dhe është punuar që këto krime të fshihen”, ka thënë Sveçla.

Sipas tij, zbulimi i varrezave masive dëshmon, siç u shpreh ai, përgjegjësinë e Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Është dëshmuar se Serbia është e njëjta Serbi që ka shkaktuar krimet e luftës të viteve 1998-1999. Ajo nuk po ndryshon dhe, përveçse është angazhuar për të dëmtuar, vrarë dhe spastruar Kosovën nga shqiptarët, vazhdon të punojë që këto krime të fshihen”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare të angazhohet më shumë për zbardhjen e këtyre krimeve dhe vendosjen para drejtësisë të përgjegjësve.

Sveçla ka deklaruar se kjo varrezë masive ndodhet rreth 900 metra larg fshatit Kalludër, por nuk ka dhënë detaje nëse ka ndonjë lidhje mes tyre, pasi hetimet janë ende në fazat fillestare.

Pamje nga Jabuka e Zubin Potokut, ku dyshohet për varrezë masive

Të fundit nga rubrika