Zjarr në një klub nate në Goa të Indisë, vriten 25 persona nga stafi dhe turistët

Një zjarr i madh në një klub nate në shtetin bregdetar të Goas në Indi ka shkaktuar vdekjen e 25 personave, sipas autoriteteve lokale.

Policia dyshon se zjarri nisi pas shpërthimit të një bombole gazi në kuzhinën e klubit “Birch”, i cili ndodhet pranë një plazhi shumë të frekuentuar.

Në momentin e shpërthimit, klubi ishte i mbushur plot me vizitorë që kishin ardhur për të dëgjuar një DJ të njohur të Bollywood-it. Policia njoftoi se mes viktimave janë katër anëtarë të një familjeje nga Delhi dhe 21 punonjës të klubit, shumica prej të cilëve dyshohet se vdiqën nga asfiksia.

Menaxheri i klubit është arrestuar, ndërsa për pronarin është lëshuar urdhër-arrest.

Goa, ish-koloni portugeze, njihet për jetën e gjallë të natës, plazhet dhe resortet e saj, duke tërhequr miliona turistë çdo vit. Dëshmitarët okularë treguan për BBC se paniku ka qenë i madh sapo janë dëgjuar shpërthimet dhe thirrjet për ndihmë.

Një nga ta tha se fillimisht nuk kishte kuptuar se çfarë po ndodhte, por shumë shpejt u bë e qartë se po digjej struktura kryesore e klubit. Aksesin e zjarrfikësve e vështirësoi një urë e ngushtë që lidh hyrjen kryesore me objektin kryesor të lokalit.

Në vendngjarje, BBC raportoi se në një kënd të klubit ishin ende të shpërndara mbetje të shkrira të karrigeve, tavolinave dhe bimëve dekorative.

Autoritetet thanë se 20 nga punonjësit e viktimizuar vinin nga shtete të ndryshme indiane si Jharkhand, Uttarakhand, Maharashtra, Assam, Uttar Pradesh, West Bengal dhe Karnataka, ndërsa një punonjës ishte nga Nepali. Katër viktimat e tjera ishin turistë nga Delhi.

Një kuzhinier nga një lokal pranë zonës tha se njihte disa prej punëtorëve të klubit dhe se nuk po arrinte t’i kontaktonte pas ngjarjes: “Jemi shumë të shqetësuar. Shumë njerëz nga gjithë India dhe edhe nga Nepali punojnë në klubet e Goas.”

Të dielën, ekipet e emergjencës po vazhdonin kërkimet mes mbetjeve të karbonizuara. Kryeministri i shtetit njoftoi se është hapur një hetim për shkakun e zjarrit.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, Goa u vizitua nga rreth 5.5 milionë turistë, përfshirë 270 mijë të huaj. Politikanë të opozitës kanë kërkuar rregullore më të rrepta sigurie, duke akuzuar qeverinë se po lejon hapjen e shumë klubeve të reja pa standardet e nevojshme.

India ka përjetuar disa ngjarje të ngjashme viteve të fundit. Në maj, një zjarr në një ndërtesë trekatëshe në Hyderabad vrau 17 persona, ndërsa në prill një hotel në Kolkata u përfshi nga flakët, duke lënë 15 viktima.

Vitin e kaluar, 24 persona humbën jetën në një park argëtimi në Gujarat, ku hetimet treguan se mungesa e masave të sigurisë rriti ndjeshëm numrin e viktimave.

Shija e redaktorit

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Të fundit nga rubrika