34 familje rome dhe serbe bëhen me banesa në Graçanicë

34 familje rome dhe serbe janë bërë me banesa në Graçanicë. Ata kanë përfituar banesat si pjesë e projektit të strehimit të familjeve nga radhët e komuniteteve joshumicë që kanë banuar në qendra kolektive

Familja e Faruk Kalishit është në mesin e 34 familjeve nga komunitetet pakicë që kanë përfituar banesa në lagjen Suhadoll të Graçanicës.

30-vjeçari nga komuniteti rom thotë se objekti i ndërtuar me financim të BE-së dhe Qeverisë së Kosovës ka dukshëm kushte me të mira sesa hapësira ku jetonin deri tani.

Faruk Kalishi, Banor i Graçanicës tha se “Ku kena jetu ma heret çka me të kallxu, katastrof jemi kanë atje. Tash këtu kushtet janë shumë më mirë edhe për fëmijët e mi, sepse këto nuk i kemi pasur atje ku kemi nejt me qira”.

Në mesin e përfituesve ka edhe familje të komunitetit serb. Çelësat iu dorëzuan zyrtarisht përfituesve nga kryeministri Albin Kurti, i cili paraprakisht tha se ky moment meriton festë të dyfishtë.

Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës deklaroi “E para është se hapja e dyerve të këtyre apartamenteve na kujton dyert e qendrave kolektive që përfundimisht janë mbyllur. Në strategjinë tonë për mbrojtjen dhe përmirësimin e të drejtave të komuniteteve dhe anëtarëve të tyre nga që Qeveria jonë e miratoi para katër muajve, ne u zotuam për mbylljen e këtyre qendrave kolektive”.

Më shumë për investimin foli ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim tha se “Për secilën familje ministria, në bashkëpunim me partnerët, ka ofruar pajisjet elektrike, mobile dhe ushqim që sigurisht në fillim do t’ua lehtësojnë jetën këtyre familjeve. Atyre u është ofruar edhe hapësirë për rekreacion”.

Ndërsa shefi i zyrës së BE-së, Tomas Szunyog u shpreh i bindur se Kosova mund të krijojë kushte jetese për të gjitha komunitetet.

Tomas Szunyog, Shef i zyrës së BE-së tha se “Në kuadër të këtij projekti në total kemi mbështetur 56 familje të komuniteteve joshumicë të cilat jetojnë në kushte të vështira. Përveç 34 banesave të reja që po i përurojmë sot, kemi rinovuar edhe një kompleks tjetër banesor social në Komunën e Graqanicës, me ç’rast janë përmirësuar kushtet e jetesës së 22 familjeve”.

Ndërtimi i këtyre dy objekteve banesore kishte filluar në tetor të vitit 2022.

 

Shija e redaktorit

Aksioni i Policisë në veri, konfiskohen rreth 74 milionë dinarë

Policia e Kosovës ka shpalosur detaje shtesë lidhur me aksionin e zhvilluar gjatë ditës së sotme në veri të vendit. Sipas njoftimit të Policisë së...

Melinda Ademi publikon projektin e ri “Kiss me”

Këngëtarja e njohur, Melinda Ademi, ka publikuar projektin e saj më të ri me titullin “Kiss Me”. Kënga e publikuar është me melodi dhe tekst...

Dafina dhe Ylli vazhdojnë t’i “trazojnë ujërat”, pozojnë me...

Këngëtarja e njohur, Dafina Zeqiri, sot ka kapur vëmendjen e të gjithëve me postimin e saj të fundit në rrjetin social "Instagram". "Duar të bashkuara"...

Të fundit nga rubrika