Qeveria gjermane përshëndet shtendosjen e gjendjes në veri

Qeveria gjermane e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për largimin e barrikadave nga rrugët e veriut dhe shtendosjen e gjendjes. Ndërsa, ka shtuar se tani kërkohen hapa të tjerë

Ilustrim

Qeveria gjermane ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për largimin e barrikadave nga rrugët e veriut dhe shtendosjen e gjendjes. Tani kërkohen hapa të tjerë.

Qeveria gjermane është shprehur e lehtësuar pas shtendosjes së fundit të gjendjes në veri të Kosovës dhe largimit të barrikadave nga rrugët.

“Ky është një sinjal i mirë i të dy palëve, që rezultoi me heqjen e barrikadave nga minoriteti serb në veri të Kosovës”, deklaroi këto ditë në Berlin zv/zëdhënësja e qeverisë Christiane Hoffmann. Kjo ka rezultuar me hapjen e sërishme të të gjitha vendkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, që ishin bllokuar në dhjetor dhe në kohën e festave.

Dialogu duhet të vazhdojë

“Tani duhet të përqendrohemi te mbështetja e dialogut dhe vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë është duke bërë qeveria gjermane”, shtoi Hoffmann.

Gjermania mbështet përpjekjet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për ndërmjetësim në dialog. Hoffman dhe një zëdhënës tjetër i ministrisë së Jashtme nuk deshën të komentojnë kërkesat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për dërgimin e më shumë ushtarëve të NATO-s në Kosovë. Hoffmann tha se qeveria gjermane do të koncentrohet edhe më tej në vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e problemeve me dialog.

Kryeministri Kurti ka deklaruar në një intervistë për gazetën gjermane Dei Welt: “Forcimi i trupave të NATO-s në vendin tonë do të forconte edhe sigurinë dhe paqen, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Forcimi i turpave të NATO-s?

Autoritetet gjermane nuk deshën të komentojnë këtë kërkesë. Por përfaqësuesit e NATO-s kanë qenë të qartë në deklaratat se ata janë në gjendje të kujdesen për paqen dhe sigurinë. KFOR-i është në Kosovë prej vitit 1999 dhe kujdeset për sigurinë e vendit. Rreth 3800 trupa të NATO-s janë garanci e sigurisë në të gjithë Kosovën. Në këtë kontigjent janë edhe rreth 70 ushtarë gjermanë.

Ngjarjet në veri kanë përshkallëzuar situatën pas vendimeve për ndryshimin e targave ilegale, qe ka rezultuar me daljen e serbëve nga veriu nga institucionet e Kosovës, shpalljet dhe pastaj shtyrjen e zgjedhjeve për kryetarë të bashkive në veri, sulmet ndaj përfaqësuesve të Kosovës por edhe atyre të bashkësisë ndërkombëtare, arrestimin e disa personave dhe lirimin në burg shtëpiak, bllokimin e rrugëve dhe heqjen e barrikadave.

Por ajo që më së shumti ka shqetësuar si përfaqësusit politikë e diplomatikë, ashtu edhe ushtarakë, është retorika luftarake që është dëgjuar në Beograd, ngritja e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe policisë serbe, por edhe kërcënimet nga autoritetet e Kosovës se do të veprojnë me dhunë në heqjen e barrikadave.

Situata në veri tani është e qetë, por problemet kanë mbetur. Berlini tani kërkon vazhdimin e dialogut. DW

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika