UEFA-s i kërkohet ta përjashtojë Bjellorusinë

Më shumë se 100 deputetë të Parlamentit Evropian kanë nënshkruar një letër që ia kanë dërguar presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, duke i kërkuar që ekipi i kombëtares së Bjellorusisë të përjashtohet nga garat e kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit

Kombëtarja bjelloruse gjatë një ndeshje kundër Azerbajxhanit në kuadër të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Novi Sad, 6 qershor 2022.

Më shumë se 100 deputetë të Parlamentit Evropian kanë nënshkruar një letër që ia kanë dërguar presidentit të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), Aleksander Ceferin, duke i kërkuar që ekipi i kombëtares së Bjellorusisë të përjashtohet nga garat e kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit, që mbahet më 2024.

Eurodeputetët argumentuan se Bjellorusia, jo vetëm që mbështet, por aktivisht merr pjesë në agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Në letër u tha po ashtu se futbolli dhe sporti në përgjithësi janë përdorur nga lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, për përhapjen e propagandës politike.

Sipas ligjvënësve evropianë, pjesëmarrja në garat e UEFA-s e kombëtares bjelloruse do të përdoret më vonë nga Lukashenka për propagandë, për të “dëshmuar se po pranohet mirë nga bashkësia ndërkombëtare”.

Deputetët pohuan se lejimi i pjesëmarrjes së Bjellorusisë në këto gara është ofendim i viktimave të agresionit rus në Ukrainë, por edhe për shumë luftëtarë të të drejtave të njeriut në Bjellorusi.

Po ashtu, ka pasur thirrje që Bjellorusisë t’i ndalohet pjesëmarrja në garat ndërkombëtare të futbollit, ashtu siç i është ndaluar Rusisë. Por, UEFA deri më tani u ka rezistuar thirrjeve të tilla, duke nënvizuar se në një masë Bjellorusia është sanksionuar duke ia pamundësuar që të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare në territorin e saj.

Ndalimi eventual i pjesëmarrjes së Bjellorusisë në kualifikimet për EURO 2024, që do të mbahet në Gjermani, do të kishte efekt edhe te kombëtarja e Kosovës, e cila gjendet në të njëjtin grup të kualifikimeve. Në grup, përveç Kosovës dhe Bjellorusisë, janë edhe Zvicra, Rumania, Izraeli dhe Andorra. Ndeshjet për kualifikime nisin javën e ardhshme.

Për shkak të pamundësisë që të zhvillojë ndeshje në fushën e vet, Bjellorusia ka zgjedhur që disa ndeshje kualifikuese t’i zhvillojë në Serbi.

Ndryshe, Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, duke përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur sulmet. Megjithatë, Minsku mohon se është palë në konflikt./REL

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika