NATO-ja miraton forca shtesë për shkak të tensioneve në veri të Kosovës

NATO-ja ka njoftuar se ka miratuar dërgimin e forcave shtesë në veri të Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur shqetësimin e thellë të aleatëve për situatën aktuale në Kosovë. KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë, është autorizuar për të ndërmarrë veprime të nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës

NATO-ja ka njoftuar të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – për shkak të rritjes së tensioneve.

“Aleatët e NATO-s u takuan sot dhe shprehën shqetësim të thellë për tensionet në veri të Kosovës. Misioni KFOR i NATO-s gjithmonë do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë”, ka shkruar Stoltenberg.

Ky komunikim i shefit të NATO-s u bë publik sot pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut, ku u diskutua për situatën në Kosovë.

“Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale”, tha Stoltenberg.

Në njoftim thuhet se aleatët kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për tensionet në rritje në veri të Kosovës.

Stoltenberg tha se “ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës”.

KFOR-i, tha ai, vazhdon të koordinohet ngushtë me të gjitha palët relevante të interesit në Kosovë dhe Serbi, “si dhe me EULEX-in, OSBE-në, UNMIK-un dhe komunitetin diplomatik”.

Ai, po ashtu, bëri thirrje për “shtensionim urgjent” të situatës.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të depërshkallëzojnë. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në deklaratën e shefit të NATO-s, thuhet se KFOR-i gjithmonë do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

“Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, potencoi Stoltenberg.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika