Zgjedhja e Kryeprokurorit, Presidentja akoma pa vendim

Përkundër që janë bërë rreth një muaj e gjysmë prej kur Këshilli Prokurorial i Kosovës e nominoi Blerim Isufajn për kryeprokuror, Presidentja Vjosa Osmani akoma nuk ka vendosur rreth dekretimit të tij. Nga zyra e Presidencës thonë se janë duke i trajtuar me kujdes të gjitha ankesat. Për të vendosur rreth dekretimit të kryeprokurorit, Presidentja Osmani nuk ka ndonjë afat ligjor

Këshilli Prokurorial i Kosovës - KPK

Përmes votimit, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e kishte bërë Blerim Isufajn zyrtarisht të nominuar për kryeprokuror.

E një muaj e gjysmë pas këtij veprimi të KPK-së, Isufaj akoma ka mbetur në këtë cilësi.

Për emërimin e tij, po pritet drita e gjelbërt nga Presidentja Vjosa Osmani që ende nuk ka nënshkruar dekretin.

Ndërkohë, nga zyra e presidentes thonë se ky institucion nuk është duke e zvarritur procesin.

“Siç e dini, një kandidat ka dorëzuar ankesë në Kushtetuese për çështjen në fjalë (për të cilën Presidentja është njoftuar zyrtarisht nga gjykata kushtetuese), dhe Zyra e Presidentes është duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet në këtë drejtim. Nuk ka ndonjë afat ligjor të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi lidhur me dekretimin e Kryeprokurorit, prandaj nuk bëhet fjalë për zvarritje por për trajtim të kujdesshëm të këtyre çështjeve”, ka thënë Zëdhënësi i Zyrës së Presidencës, Bekim Kupina.

Megjithatë, përkundër mungesës së afatit, Presidentja, sipas Gzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, duhet të vendosë brenda një afati të arsyeshëm.

“Nëse i referohemi afatit që përcaktohet sa i përket prokurorëve, afati është 60 ditë dhe që ky afat ende nuk është bërë në rastin e kryeprokurorit të shtetit, përkundër që nuk është obligativ në rastin konkret. Për këtë arsye deri më tani nuk konsiderojmë se Presidentja ka kaluar në vonesa të paarsyeshme për shkak se nuk e dijmë se sa i nevojitet për konsultim, nëse ka kërkuar sqarime shtesë”, ka thënë për RTV Dukagjini Gzim Shala nga IKD.

Paralelisht me procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit, është duke u zhvilluar edhe një proces tjetër që ndërlidhet me të.

Gjatë ditës në Komisionin për Legjislacion ka kaluar Projektligji për KPK-në, me të cilin Qeveria synon ta ndryshojë përbërjen e Këshillit.

Pritshmëritë janë që me përbërjen e re, të synohet zgjedhja e Kryeprokurorit.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, thotë se me këto ndryshime, KPK-ja do të funksionoj më mirë.

“Unë mendoj se do ta ndihmoj Këshillin që të jetë akoma më efikas në punën e tyre. Është e domosdoshme që në takimet e Këshillit të ndihet edhe zëri i Shoqërisë Civile dhe i akterëve të tjerë joprokurorë. Dhe si rrjedhojë garantimi i prezencës së akterëve joprokurorë në kuadër të përbërjes së Këshillit, konsideroj se do të jetë mekanizmi i duhur që do të sjellë një diskutim më të plotë në Këshill, si dhe një vendimmarrje më të drejtë sa i përket vendimeve që merr Këshilli”. Ka thënë zv.ministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

Prej 21 prillit, kur i skadoi mandati Aleksandër Lumezit, në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të shtetit është vendosur Besim Kelmendi.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika