Një shtetase serbe nga Mitrovica e Veriut, e identifikuar si A.M., dhe partneri i saj J.I., pilot helikopteri dhe anëtar i Forcave Ajrore të Kroacisë, janë arrestuar më 25 korrik në ishullin Vis të Kroacisë nën dyshimin se kanë spiunuar për Serbinë.
Hetimi po zhvillohet nga policia kroate dhe ajo ushtarake, ndërsa në të është përfshirë edhe Europoli.
Sipas burimeve të medias kroate Index.hr, piloti kroat, i cili ka shërbyer më herët në Kosovë si pjesë e KFOR-it, dyshohet se i ka dhënë partneres së tij informacione konfidenciale mbi zhvillimet në veri të Kosovës, të cilat ajo i ka përcjellë më pas tek Lista Serbe.
Hetuesit pretendojnë se mes informacioneve të shpërndara ishin të dhëna mbi lëvizjet e trupave të KFOR-it dhe aktivitetet në komunën e Zubin-Potokut. Po ashtu, çifti akuzohet për shkëmbim të dhënash lidhur me arrestimin dhe transportin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili ishte ndaluar për sulme ndaj zyrtarëve të KQZ-së në vitin 2022.
Arrestimi i Pantiqit atëkohë kishte shkaktuar protesta dhe barrikada nga serbët e veriut në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, të cilat zgjatën për gati tri javë.
Për shkak të bllokadave, Ministria e Brendshme e Kosovës kishte kërkuar ndihmën e KFOR-it për transportimin e Pantiqit, pasi Kosova nuk posedon helikopterë.
Ndërkohë, J.I. është një pilot me përvojë i Forcave Ajrore Kroate, i cili ka marrë pjesë në operacione shpëtimi dhe misione paqeruajtëse në Kosovë e Afganistan. A.M., partnerja e tij, me profesion sociologe, ka punuar për një kompani ndërkombëtare në Serbi dhe është njohur edhe si reportere në Mitrovicë.
Pas arrestimit, piloti është dërguar në paraburgim, ndërsa për A.M. është marrë vendim për dëbim nga Kroacia dhe ajo është vendosur në qendrën për të huaj në Trilje. Burime të hetimit konfirmojnë se komunikimet telefonike të sekuestruara nga të dyshuarit përmbajnë prova të mundshme të aktiviteteve të spiunazhit.