Pas shumë sfidave, mospajtimeve për gati 2 vjet e dy palë zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Republika e Kosovës e ka Presidenten e re. Justina Shiroka – Pula është zgjedhur Presidentja e shtatë dhe sot e mori zyrtarisht edhe detyrën. Propozimi i emrit të saj u bë nga Vetëvendosje pak para skadimit të afatit, e i njëjti u përkrah edhe nga PDK-ja.
Minutat e fundit të ditës së martë të 6 tetorit ishin vendimtar për t’i dhënë Kosovës President me mandat te plotë.
Atë që se arritën privatisht në takime, e bën publikisht përmes konferencave për media, Albin Kurti e Bedri Hamza.
Ofertat drejtuar PDK-së i nisi kryeministri Albin Kurti për të vazhduar pastaj herë njëri e herë tjetri në konferenca.
Dy ofertat e para të Kurtit për partinë më të madhe opozitare rezultuan të pasuksesshme, për të ardhur tek oferta e fundit, që u bë pas orës 22:00.
Hamzës e deputetëve të partisë së tij iu desh kohë për të vendosur dhe në 55 minuta pa përfunduar afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese, dhanë lajmin e shumëpritur.
Pas kësaj deputetët me shpejtësi shkuan në sallë të Kuvendit për të votuar fillimisht ndryshimin e Ligjit për Specialen, si pjesë e pakos së marrëveshjes.
Pas kësaj, radhe ishte e votimit për President, për të cilën presioni i kohës ishte i jashtëzakonshëm e votimi u përmbyll 3 minuta pas mesnatës.
Kështu, akademikja Justina Shiroka – Pula u zgjodh Presidentja e shtatë e Kosovës me 81 vota të deputetëve, duke u bëra gruaja e tretë e zgjedhur në këtë pozitë.
Menjëherë u bë edhe betimi i presidentes e iu drejtua deputetëve.
E pasditen e 7 tetorit, Shiroka – Pula në ceremoni zyrtare mori detyrën nga Albulena Haxhiu që për 6 muaj e ushtroi detyrën e Presidentes.
Vjosa Osmani ishte presidentja e fundit që mandati i skadoi më 4 prill të këtij viti, e vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme për shkak të pamundësisë së gjetjes së një zgjidhjeje për këtë post.