Zyrtarët doganorë në pikëkalimin kufitar në Vermicë kanë ndaluar një automjet gjatë kontrollit të detajuar, ku janë zbuluar mallra të padeklaruara tregtare.
Në automjet, në ulëset e pasme dhe në bagazh, dogana ka gjetur rreth 600 pako suplemente ushqimore, gjithsej mbi 7,500 copë.
Vlera e përgjithshme e mallrave është vlerësuar në 5,554 euro, ndërsa shmangia e detyrimeve doganore arrin në 1,655.34 euro.
“Gjatë deklarimit, drejtuesi i automjetit ka pohuar se nuk ka mallra për të deklaruar. Megjithatë, pas ekzaminimit të automjetit, në ulëset e pasme dhe në bagazh është zbuluar mall i padeklaruar me natyrë tregtare, për të cilin nuk ishte paraqitur as faturë as dokumentacion përcjellës. Konkretisht: – Suplemente ushqimore – rreth 600 pako me gjithsej mbi 7,500 copë; Vlera e përgjithshme e mallrave të padeklaruara është vlerësuar në 5,554.00 euro, ndërsa shmangia e detyrimeve doganore arrin në 1,655.34 euro”, thuhet në njoftim.
Ndaj drejtuesit të automjetit është inicuar procedurë për kundërvajtje doganore sipas Kodit Doganor dhe Akcizës së Kosovës, ndërsa mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave.
Dogana e Kosovës rikujton qytetarët se mosdeklarimi i mallrave përbën shkelje të ligjit, dhe ndaj rasteve të tilla ndërmerren masa ligjore në përputhje me dispozitat në fuqi.