Legjislatura e vjetër e Kuvendit Komunal të Prishtinës mblidhet nesër për votimin e dy pikave të rendit të ditës.
Ndonëse u bënë kritika për legjitimitetin e saj, seanca nuk është anuluar.
E madje, nga qeverisja e LDK-së thonë se kanë pranuar edhe mbështetje për votimin e bartjes së mjeteve nga viti 2024 në 2025.
“Njoftimi u ka shkuar të gjithë asamblistëve dhe grupeve parlamentare brenda Kuvendit. Shumica prej tyre kanë shprehur gatishmëri për pjesëmarrjen në seancë ndërsa kemi konfirmimin edhe nga LVV se do të votojë bartjen e mjeteve vetanake”, ka theksuar Pëllumb Bajqinovci – Zëdhënës i Komunës.
Televizioni ka pyetur edhe drejtuesen e asamblistëve të LDK-së, Jeta Rafuna nëse kanë pasur komunikim me partitë e tjera, përfshirë edhe miratimin e pikës së dytë, propozim-vendimin për miratimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2026.
E njëjta nuk e ka komentuar situatën por u ka bërë thirrje partive politike të votojnë pikat e rendit të ditës.
Por për buxhetin e vitit të ardhshëm, LVV do të paraqesë një kërkesë.
“I kemi pyetjet tona për çështjen e ligjshmërisë së seancës po përgjigje për këtë duhet thënë nga ata që e kanë bërë thirrjen.Ne do insistojmë nga z. Rama që ta largojë pikën e dytë nga rendi i ditës sepse nuk ka emergjencë për këtë pikë, edhe ashtu, kuvendi nuk është funksional dhe s’është miratuar ad buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm. Prioritet dhe urgjencë është vetëm bartja e mjeteve vetanake në mënyrë që sadopak të lirohet gjendja financiare në kryeqytet e cila është afër bankrotimit”, ka deklaruar Gëzim Sveçla – Shef i Grupit Parlamentar të LVV-së.
Nga Partia Demokratike kanë deklaruar se do të marrin pjesë në mbledhje por s’kanë ende vendim.
“Situata e krizës financiare në Prishtinë është serioze. Asamblistët e PDK-së janë duke analizuar me kujdes të gjitha mundësitë pozitive për të ndihmuar daljen nga kjo gjendje. Bartja e mjeteve nga viti 2024 në vitin 2025 mund të jetë një zgjidhje, por vetëm nëse garanton funksionalitetit normal të shërbimeve për qytetarët dhe pagesave për punëtorët. Kokëfortësia dhe përplasjet nuk i zgjidhin problemet e njerëzve. Ajo që duhet sot është përgjegjësi dhe vendime që i kthejnë qytetit stabilitetin që meriton”, ka deklaruar Leotrim Retkoceri – Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.
E nga Aleanca për Kosovën e Re, thonë se do votojnë për të dy pikat.
Televizioni ka provuar të kontaktojë edhe me përfaqësuesit e NISMA-s në Komunë por të njëjtit, kanë qenë të paqasshëm.