Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po mban fjalim në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku kritikon ngadalësinë e reagimit ndërkombëtar ndaj luftës në Ukrainë dhe situatën globale.
Zelensky tha se komuniteti ndërkombëtar është shpërqendruar nga çështja e Grenlandës dhe shumica e udhëheqësve ende nuk e dinë se çfarë hapash të ndërmarrin.
“Duket sikur të gjithë po presin që Amerika të qetësohet mbi këtë temë”, tha ai.
Ai u ndal më pas te protestat në Iran, të cilat sipas tij janë “mbytur në gjak”. Zelensky falënderoi Evropën për ngrirjen e aseteve ruse, por kritikoi vendimin që këto asete të mos përdoren për mbrojtjen e Ukrainës.
Ai shtoi se nuk ka pasur “asnjë përparim të vërtetë” në krijimin e një gjykate për agresionin rus kundër Ukrainës, pavarësisht “shumë takimeve”, duke pyetur nëse kjo është çështje kohe apo vullneti politik.
Zelensky falënderoi liderët evropianë për punën e tyre në garancitë e sigurisë, duke përmendur veçanërisht kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Megjithatë, ai nënvizoi se mbështetja e presidentit Trump është thelbësore.
Duke folur për armëpushimin, Zelensky tha se ende nuk ka një marrëveshje me SHBA për një “backstop”, që është e nevojshme për sigurinë.
Ai shtoi “pse Presidenti Trump mund të ndalojë tankerat nga flota në hije dhe të sekuestrojë naftë, kur Evropa nuk e bën këtë?” dhe paralajmëroi se nafta që transportohet përgjatë brigjeve evropiane po përdoret për të financuar luftën kundër Ukrainës.
“Nëse Putini nuk ka para, nuk ka luftë për Evropën”, shtoi ai, raporton BBC.
Zelensky sugjeroi se Evropa ka nevojë për forcat e veta të armatosura dhe nuk mund të mbështetet vetëm te NATO.
“NATO ekziston falë besimit se SHBA do të ndërhyjnë. Po sikur të mos ndërhyjë?” pyeti ai, duke kritikuar gjithashtu dështimin e Evropës dhe SHBA për të ndaluar kompanitë që shesin pjesë raketash në Rusi.
Duke kërkuar më shumë mbështetje, Zelensky theksoi rëndësinë e linjës diplomatike, duke treguar se negociatat me SHBA kanë kufizime.