Lëvizjet janë intensifikuar në 48 orët vendimtare për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të vendit.
Pos takimeve që kanë vazhduar, në skenë doli edhe kandidatura e Glauk Konjufcës, si emër që pritet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila duket se ka hequr dorë nga mbledhja e nënshkrimeve për Vjosa Osmanin.
Dukagjini ka pyetur zyrtar të VV-së për këtë por ata nuk janë përgjigjur.
Para kësaj, për herë të tretë brenda pak ditësh, Albin Kurti u takua përsëri me Lumir Abdixhikun, megjithëse u tha se nuk ka ndonjë risi në diskutim.
“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, mirëpo kur ka diçka të re do të ju njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhjet mirëpo do të ju njoftojmë së shpejti”, ka thënë Konjufca
Ndryshe nga Kurti, ai që nuk u pa, ishte kryetari i LDK-së e që as nuk u prononcua për mediat.
Megjithëkëtë, Abdixhiku pasi foli me Kurtin, i ftoi në takim Grupin Parlamentar të LDK-së për të diskutuar pikërisht për çështjen e presidentit apo presidentes.
Shumë risi nuk u dhanë as nga ky takim, veçse zgjedhjet mund të shmangen, ndër të tjera me marrëveshje politike.
Por, Besian Mustafa nuk e ka komentuar kandidaturën e mundshme të Glauk Konjufcës e as votën e LDK-së.
“Nuk mund të përgjigjem për derisa nuk kemi një kandidaturë zyrtare, pra pyetje shumë hipotetike të cilën e kam të pamundur të përgjigjem për derisa nuk kemi një veprim të tillë”, ka thënë Mustafa.
Ndonëse emra e mundshëm për kandidatë për president orëve të fundit po diskutohen, Lëvizja Vetëvendosje paradite tha se ende nuk ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për askënd.
“Është e vërtetë që teknikisht Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë nënshkrimet për dy kandidatë, ndërkohë që deputetët e Kuvendit teknikisht mund të kenë nënshkrimet për katër kandidatë. Dhe ne jemi të interesuar që nënshkrimet tona të jenë në funksion të zgjedhjes së kandidatit, kandidates e cila do të votohet edhe do të merr votat”, ka thënë Nagavci.
Deputetët e Kuvendit kanë afat ligjor që deri të enjten të votojnë për presidentin e ri, e që kryetares së Kuvendit duhet t’i paraqiten kandidaturat përmes mbledhjes së 30 nënshkrimeve për një kandidat. Nëse dështon kjo, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon përsëri në zgjedhje.