Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar planin e punës për vitin 2026 gjatë mbledhjes së mbajtur të enjten.
Sipas diskutimeve në mbledhje, dokumenti është hartuar në përputhje me Planin Strategjik të KQZ-së për periudhën 2023–2026 dhe duke u bazuar në përvojat, konkluzionet dhe rekomandimet e dala nga proceset zgjedhore të zhvilluara gjatë vitit 2025.
Në këtë plan është përfshirë edhe mundësia e pezullimit të zbatimit të tij në rast se shpallen zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme.
Sipas dokumentit, një situatë e tillë do ta bënte të pamundur realizimin e shumicës së aktiviteteve të planifikuara, përveç atyre që lidhen drejtpërdrejt me obligimet ligjore, si raportimet institucionale apo detyrimet që burojnë nga ligjet në fuqi.
“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme apo të jashtëzakonshme pamundësojnë realizimin e pjesës dërmuese të aktiviteteve të planifikuara, përveç atyre që përbëjnë obligime ligjore që ndërlidhen me raportimin ose që burojnë nga ligjet e tjera në fuqi. Ky parashikim siguron që institucioni të mbetet i fokusuar në përgjegjësitë bazë edhe në situata të paplanifikuara”, thuhet në këtë raport.
Në raport theksohet se një parashikim i tillë synon të sigurojë që institucioni të mbetet i fokusuar në përgjegjësitë kryesore edhe në rast të situatave të paplanifikuara.
Gjatë prezantimit të kësaj pike para anëtarëve të KQZ-së, përfaqësuesi i Këshillit të Operacioneve Zgjedhore, Arianit Elshani, tha se plani është hartuar në përputhje me strategjinë e institucionit dhe është ndërtuar mbi pesë shtylla strategjike.
Ai bëri të ditur se në plan janë përfshirë gjithsej 73 aktivitete, duke marrë parasysh kufizimet buxhetore, por edhe rrezikun e mundshëm të mbajtjes së zgjedhjeve gjatë vitit.