Lista Serbe ka bërë thirrje që serbët e Kosovës të respektojnë Ligjin për të huajt, duke përfshirë lehtësirat për lejeqëndrim 12-mujor.
Në një postim në Facebook, Lista Serbe tha se me marrëveshjen e dakorduar është parandaluar që rreth 10 mijë persona të mbesin jashtë Kosovës e Metohisë.
“Kemi arritur, siç do të thoshte Patriarku ynë, të ruajmë popullin tonë në Kosovë e M”, thuhet në postim.
Sipas Listës Serbe, personat që punojnë në institucione shëndetësore dhe arsimore, por nuk jetojnë në Kosovë, mund të aplikojnë për lejeqëndrim njëvjeçar me të drejtë zgjatjeje. Po ashtu edhe studentët.
Qytetarët që jetojnë në Kosovë, por nuk kanë dokumente, mund të aplikojnë për marrjen e tyre.
Qytetarët që nuk kanë dokumente të Kosovës, por jetojnë në Kosovë e Metohi, do të jenë në gjendje të marrin dokumente të Kosovës duke përdorur dokumentet serbe.
Lista Serbe gjithashtu tha se kryetarët e komunave me shumicë serbe do të “përkujdesen që ky proces të shkojë pa probleme” dhe se aplikimet mund të bëhen deri më 16 qershor.
Po ashtu, po punohet për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve.
“Besojmë se me mbështetjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë, së shpejti mund të arrijmë një zgjidhje që do t’u sjellë dobi qytetarëve tanë”, thekson Lista Serbe.