Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se bashkëpunimi me NATO mbetet thelbësor për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe avancimin e partneritetit strategjik, me rastin e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT).
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se Republika e Kosovës ka ndërtuar institucionet e sigurisë mbi një bashkëpunim të qëndrueshëm me NATO-n dhe shtetet anëtare të saj.
“Republika e Kosovës ka ndërtuar institucionet e saj të sigurisë mbi bazën e bashkëpunimit të ngushtë dhe të qëndrueshëm me NATO-n dhe shtetet e saj anëtare. Forca e Sigurisë së Kosovës është sot një institucion profesional, i besueshëm dhe në zhvillim të vazhdueshëm”, tha ai.
Kryeministri nënvizoi se progresi i arritur është rezultat i përkushtimit të brendshëm dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë.
“Ky progres është rezultat i përkushtimit të brendshëm, por edhe i mbështetjes së palëkundur të partnerëve tanë, për çfarë u jemi mirënjohës përherë”, u shpreh Kurti.
Ai vlerësoi rolin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), duke e cilësuar atë si thelbësor në rritjen e kapaciteteve të institucioneve të mbrojtjes.
“Përmes këshillimit strategjik, asistencës profesionale dhe bashkëveprimit të përditshëm, NALT ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve operacionale, në forcimin e qeverisjes demokratike dhe në ngritjen e standardeve institucionale”, tha ai.
Kurti theksoi se në një kohë sfidash globale për sigurinë, bashkërendimi me partnerët strategjikë është më i rëndësishëm se kurrë, ndërsa prezenca e NATO-s në Kosovë mbetet faktor kyç për sigurinë e vendit dhe rajonit.
“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik i yni, dhe progresi që po shënojmë sot e çdo ditë tjetër konfirmon se jemi në rrugën e duhur”, deklaroi ai.
Në këtë ceremoni, Kurti shprehu mirënjohje të veçantë për ish-drejtorin e NALT-it, Gjeneral Brigade Dr. Lange, për kontributin e tij në avancimin e bashkëpunimit dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
“Puna e tij ka lënë gjurmë të qëndrueshme në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në konsolidimin e institucioneve tona të mbrojtjes”, theksoi Kurti.
Po ashtu, ai uroi sukses pasardhësin e tij, Gjeneral Brigade Thomas Schulte-Borghoff, duke shprehur besimin se do të vazhdojë misionin me përkushtim dhe profesionalizëm.
Kurti theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, siguri dhe orientim euroatlantik, duke falënderuar partnerët për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme.