Komisioni për Legjislacion ka shqyrtuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili është shoqëruar me përplasje mes pushtetit dhe opozitës për procedurat dhe përmbajtjen e tij.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se ky projektligj synon të rrisë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe të forcojë mekanizmat kundër pasurisë së pajustifikueshme, duke theksuar se është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e institucioneve relevante.
“Do të rrisë qasjen dhe besimin e qytetarëve në drejtësi. Byroja shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është mekanizëm vital, është instrumenti kryesor për të siguruar që pasuria e zyrtarëve publik, të jetë e verifikueshme dhe në përputhje me të ardhurat e ligjshme. Përveç se garanton që pasuria e krijuar në shpërputhje me të ardhurat e ligjshme do të konfiskohet dhe do t’i kthehet shtetit, ligji njëkohësisht kontribuon që të hiqen dyshimet edhe për pasuritë dhe zyrtarët, të cilët pasurinë e tillë e kanë krijuar në rrugë ligjore”, tha ajo.
Ajo shtoi se projektligji ka kaluar nëpër tri opinione të Komisioni i Venecias dhe dy shqyrtime të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke theksuar se konfiskimi civil është konfirmuar si instrument i ligjshëm.
“Gjatë këtij procesi, ligji ka kaluar nëpër tre opinione të Komisionit të Venecias dhe dy shqyrtime të Gjykatës Kushtetuese. Asnjë nga këto institucione dhe mekanizma nuk e ka kontestuar konceptin e konfiskimit civil si instrument të ligjshëm. Përkundrazi, ato e kanë konfirmuar konfiskimin me bazë civile duke rekomanduar përmirësime në qartësi, në proporcionalitet dhe garanci procedurale.
Të gjitha këto tashmë janë reflektuar në tekstin që keni para jush dhe i cili po ashtu është konfirmuar edhe me opinionin përcjellës të Komisionit të Venecias”, tha ajo.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Përparim Gruda, ngriti shqetësime për mungesën e konsultimit publik dhe për shtrirjen kohore të ligjit.
“Nëse gjykata e ka kthyer në pikën zero, kjo do të thotë që ligji nis nga zero, e kërkon konsultim publik dhe t’i gjitha. Mendoj që është gabim që s’kemi pasur konsultim publik në fazën që duhet para miratimit në qeveri. Çështja e dytë që desha me e përmend është çështja e shtrirjes kohore të ligjit. Që është një periudhë mendoj unë shumë e gjatë edhe Gjykata Kushtetuese e ka thënë në vendimin e parë që mund të jetë problematike, sepse ka plot ligje në Kosovë që rregullojnë ruajtjen e dokumentacioneve. Unë pajtohem me atë që tha ministrja, që konfiskimi civil është konsiderohet edhe prej Komisionit të Venecias një standard është i mundshëm me u zbatu, po megjithatë mendoj që me i marrë parasysh specifikat e vendit është e nevojshme, sepse është një vend i ri edhe edhe institucionet edhe ligjet, dokumentet që në faza fillestare ku mendoj që ky aspekt është thelbësisht i rëndësishëm me u marrë parasysh kur e kemi këtë”, tha ai.
E pyetur për mungesën e konsultimit publik, Gërvalla tha se një gjë e tillë nuk ishte konsideruar e nevojshme në këtë fazë.
“Kemi marrë rekomandimin nga departamenti ligjor tek ne por edhe nga ZKM që nuk është i nevojshëm diskutimi i serishëm publik”, tha ajo.
Deputeti i VV-së, Vigan Qorrolli, e mbështeti projektligjin duke e cilësuar si të domosdoshëm për sistemin institucional dhe në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare.
Ai renditi gjashtë kritere që, sipas tij, projektligji i përmbush, përfshirë adresimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, proporcionalitetin, garancitë ligjore dhe qartësinë juridike.
“Duke qenë se kam qenë vetë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, e konsideroj që ky ligj, përveç trajtesës së duhur dhe dorës fuqishëm profesionale, ka pasur edhe një kontribut të të gjithë aktorëve, dhe në këtë rast ne duhet ta çmojmë gjithmonë kontributin e njerëzve të cilët kanë punuar në këtë ligj, sepse thashë është jetikisht i vlefshëm për arkitekturën tonë institucionale. I kam gjashtë teza të cilat besoj që duhet në frymë të këtillë ligji me u aprovu nëse e plotësojnë këtë standard të vetë Gjykatës Kushtetuese, por mbi të gjitha të Komisionit të Venecias, dhe para së gjithash të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, në kuptim të jurisprudencës së Strasburgut”, tha ai.
“E para nëse projektligji i tanishëm që e kemi para nesh, i adreson gjetjet kryesore të dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, me theks të veçantë aktgjykimin e parë. Dhe nëse e dyta ky ligj ka qëllim legjitim dhe është proporcional.
E treta nëse projektligji mbi të gjitha ofron garanci të mjaftueshme ligjore për mbrojtjen e të drejtave të individëve. E katërta nëse ky ligj siguron qartësi dhe parashikueshmëri në kuptim të sigurisë juridike. E pesta ndikimin e afateve procedurale në efikasitetin e sistemit gjyqësor.
Dhe e gjashta ndërthurjen e kompetencave të Byrosë me institucionet ekzistuese në Republikën e Kosovës. Në gjykimin tim, ky ligj që të gjashtë kushtet të cilat unë i ngrita në formë tezash, i plotëson në mënyrë komplementare, me theks të posaçëm në qëllimin legjitim dhe proporcionalitetin e ligjit”, tha ai.
Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, theksoi se mungesa e konsultimit publik dhe rreziku për rrëzim në Gjykatën Kushtetuese mbeten shqetësime serioze.
“Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi janë dy kushte që të ecë ky shtet përpara. Janë dy probleme që dua t’i adresoj: e para, reformat në drejtësi u nënshtrohen dy parimeve themelore, parimit kushtetueshmërisë dhe parimit të llogaridhënies institucionale, të cilat mendoj që do të jenë pengesë e madhe e këtij ligji. Konsultimi publik i këtij ligji është jetik dhe ligjor; Ministria e Drejtësisë duhet t’u nënshtrohet ligjeve, që e obligojnë të ketë konsultim publik. Çështja e dytë ne kemi një vendim të Kushtetutës që është në një rast paraprak, i cili thotë qartë që konsultimi publik është obligativ dhe është i rëndësishëm. E shoh të rëndësishëm procesin e konsultimit, e shoh të rëndësishëm nëse ka ballafaqim serioz dhe e fundit për tek qytetarët. Mos krijoni instrumente që mund të rrëzohen në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.
Ndërsa deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, kritikoi procedurën e përshpejtuar dhe mungesën e trajtimit të plotë të gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Përderisa ne sot po flasim për një projektligj të ri, me disa ndryshime kozmetike, i cili nuk i ka adresuar të gjitha gjetjet e Gjykatës Kushtetuese. Këtë e kanë thënë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët ditëve të kaluara e kanë kritikuar qeverinë për qasjen e saj, sepse e para pse nuk janë ndjekur procedurat e rregullta të paraparë me rregulloren e punës së Kuvendit? Pse duhet i njëjti të vijë në Kuvend me procedurë të përshpejtuar? Pra, do të na duhet që në Kuvend të votojmë për ndryshim të procedurave, përderisa ne kemi pasur mundësi që të njëjtin ligj ta trajtojmë me afatet e rregullta, duke iu nënshtruar një diskutimi të rregullt publik, ku do të ishin të pranishëm edhe shoqëria civile dhe natyrisht do ta diskutonim detajisht. E para zonja ministre, si deputet dua që të kërkoj nga ju që të mos përdoret narracioni i njëjtë, sepse nuk është sot tendencë që një ligj i cili ka synim ta luftojë krimin e organizuar, korrupsionin, të sillet pra në Gjykatën Kushtetuese dhe si i tillë të mos merren rekomandimet e institucioneve përkatëse dhe ligji të jetë të mos jetë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Nuk besoj që do ta shfrytëzoni për fushatën zgjedhore dhe ta kthej në kampanjë elektorale”, tha ajo.
Në përgjigje, ministrja Gërvalla tha se ligji nuk është ndryshuar nga versioni i kaluar dhe se vërejtjet e institucioneve janë adresuar, ndërsa shtoi se projektligji nuk prek qytetarët që nuk janë zyrtarë publikë.
“Po e nisim nga e fundit duke konstatuar që zgjedhjet i kemi lënë në dhjetor të vitit të kaluar. Nuk jemi në fushatë zgjedhore, kemi fazë shumë kritike edhe shumë të rëndësishme të miratimit të ligjeve shumë të rëndësishme, mes tyre ligji i filluar në vitin 2021, i cili ende në vitin 2026 diskutohet sikur të mos kishte kaluar asnjëherë në Kuvend, sikur të mos kishte kaluar asnjëherë në Gjykatë Kushtetuese dhe sikur tash po fillojmë me kërku opinionet e Komisionit të Venecias e të tjerë e të tjerë. Shumë prej çështjeve që u përmendën janë ngritur në të kaluarën, i është dhënë përgjigje qoftë nga Gjykata Kushtetuese, qoftë nga Komisioni i Venecias edhe janë nxjerrë konkluzionet nga ana e Ministrisë së Drejtësisë edhe janë ndryshuar aty ku ka qenë e nevojshme formulimet në nenet përkatëse. Është e vërtetë që ligji në këtë formë që paraqitet sot është një ligj i ndryshuar nga ai që ka qenë në vitin, mirëpo në raport me ligjin që ka kaluar në Kuvend në vitin 2024 nuk ka asnjë ndryshim. Nuk ka jo vetëm ndryshime kozmetike që nuk ka, nuk ka asnjë ndryshim. Është ai ligj i cili në vitin 2024 ka kaluar nëpër Kuvend dhe Gjykata Kushtetuese ka shprehur vërejtjet e saj për mënyrën se, procedurën në të cilën është aprovuar ai ligj.
Prandaj nuk ka pasur diskutim publik dhe prandaj unë e mirëprita shumë mundësinë që mes dy leximive ne të kemi mundësi ta diskutojmë, me qëllim që të heqim çdo dilemë që kemi”, tha ajo./EO