Një këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Iranit ka hedhur poshtë njoftimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për zgjatjen e armëpushimit, duke thënë se kjo “nuk do të thotë asgjë” dhe se Teherani duhet të përgjigjet ushtarakisht.
Mahdi Mohammadi, këshilltar i lartë i kryetarit të Kuvendit, Mohammad Bagher Ghalibaf, tha se “pala humbëse nuk mund të diktojë kushte” dhe e quajti vazhdimin e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane një “rrethim” që “nuk ndryshon nga bombardimet”, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Si shenjë e mosbesimit të Teheranit ndaj Uashingtonit, Mohammadi akuzoi Trumpin se e ka zgjatur armëpushimin si një “manovër për të fituar kohë për një sulm të befasishëm”, duke shtuar se “ka ardhur koha që Irani të marrë iniciativën”.
Ghalibaf, kryetar i Kuvendit dhe figurë e kahershme në politikën e vendit, udhëhoqi raundin e parë të negociatave me Shtetet e Bashkuara në Islamabad dhe pritej të përballej me zëvendëspresidentin JD Vance në një raund të dytë bisedimesh, të cilat fillimisht u vonuan dhe më pas u shtynë për një afat të pacaktuar.