Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, është distancuar nga deklarimet se është ai që ia ka shkruajtur fjalimin bashkëpartiakut, Fatos Geci, në seancën plenare ku u shpreh se ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi, do ta presë fati i Naim Murselit që u dënua me burgim të përjetshëm.
Kërçeli thotë se Geci ka treguar publikisht se vetë e ka shkruajtur atë fjalim teksa u shpreh se qëndimi i tij për krerët e UÇK-së dihet, njofton Dukagjini.
Ai, nëpërmjet një videoje të publikuar në Facebook, u shpreh se lutet për lirim sa më të shpejt të ish-krerëve të UÇK-së.
“Sot në mëngjes lexova disa deklarata se është lakuar emri im. Sa i përket fjalimit, deputeti ka reaguar duke treguar se fjalimin e ka shkruar vetë. Sa më përket mua, për qëndrimin tim për krerët e UÇK-së në Hagë, dihet publikisht. Kam qenë në vizitë në Hagë në vitin e parë të paraburgimit, ku kam vizituar të gjithë të paraburgosurit një e nga një. Në dy protestat e organizuara kam bërë thirrje publike për pjesëmarrje dhe kam marrë pjesë edhe vetë. Para disa jave në Komisionin për buxhet dhe finanaca kam votuar për buxhet shtesë për të akuzuarit në Hagë”.
“E lutem sot e dje e çdo ditë që sa më parë të lirohen e të kthehen pranë familjarëve të tyre”, ka thënë Kërçeli.
Kujtojmë se sipas Nehat Gecit, xhaxhai i deputetit të partisë “Guxo”, fjalim të cilin ai e lexoi në Kuvend dy ditë më parë, ishte shkruar nga deputeti i VV-së.