Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, ka paralajmëruar se po bëhen “përpjekje të qëllimshme” për të rishkruar hartën e Lindjes së Mesme.
“Lindja e Mesme po kalon rrethana kritike, mes përpjekjeve të qëllimshme për të rishkruar hartën e saj”, tha Sisi në një fjalim të transmetuar në televizion me rastin e 44-vjetorit të çlirimit të Sinait nga pushtimi izraelit, shkruan Anadolu, transmeton Dukagjini.
Ai bëri thirrje për zbatimin e plotë të fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, e arritur tetorin e kaluar, duke përfshirë hyrjen e pandërprerë të ndihmës humanitare dhe nisjen e menjëhershme të rindërtimit të enklavës.
Gaza u shkatërrua në luftën dyvjeçare që ai e cilësoi si “gjenocid”. Faza e parë e armëpushimit përfshinte shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë.
Presidenti egjiptian gjithashtu shprehu refuzimin kategorik të Egjiptit ndaj çdo përpjekjeje për zhvendosjen e palestinezëve.